Urdhri ekzekutiv i Presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund të drejtës së shtetësisë përmes lindjes në Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar një debat ligjor dhe politik rreth kompetencave të pushtetit ekzekutiv dhe Amendamentit të 14-të të Kushtetutës amerikane, i cili garanton shtetësinë për këdo që lind në tokën amerikane. Ky rregull ka qenë shumë i rëndësishëm për të drejtat civile që nga ratifikimi i tij në vitin 1868.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara, e hartuar në fund të shekullit të 18-të, ia la Kongresit pjesën më të madhe të vendimmarrjes për çështjen e imigracionit dhe shtetësisë.

Por Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që i jep fund të drejtës automatike të shtetësisë për ata që lindin në Shtetet e Bashkuara.

“Ne jemi i vetmi vend në botë që ofrojmë këtë të drejtë në lindje. Kjo është absolutisht qesharake. Ne mendojmë se kemi baza shumë të mira dhe disa njerëz kanë dashur ta bëjnë këtë për dekada”, tha ai.

Kritikët e urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump thonë se Amendamenti i 14-të është një gurthemel i të drejtave civile dhe nuk mund të ndryshohet nga një President i Shteteve të Bashkuara.

“Fillimisht, synimi i amendamentit ishte që skllevërit afrikano-amerikanë të merrnin shtetësinë dhe më pas kjo e drejtë u çimentua me një vendim të Gjykatës së Lartë. Amendamentet e Kushtetutës dhe të drejtat kushtetuese nuk mund të hiqen nga një president. Ato mund të hiqen vetëm nga Kongresi dhe për këtë arsye urdhri ekzekutiv është i paligjshëm”, thotë Tuyet Duong nga Forumi Kombëtar i Grave Amerikane të Azi-Paqësorit.

Megjithatë, mbështetësit e urdhrit ekzekutiv argumentojnë se është e nevojshme të rivendoset drejtësia në sistemin e imigracionit.

“Presidenti Trump e ka bërë të qartë se rivendosja e drejtësisë në sistemin tonë të imigracionit dhe mbrojtja e qëllimit të vërtetë të Amendamentit të 14-të janë thelbësore për vizionin e tij për ta bërë Amerikën sërish madhështore. Urdhri i tij ekzekutiv historik për t’i dhënë fund të drejtës së shtetësisë përmes lindjes, përbën një hap kritik përpara”, thotë ligjvënësi republikan nga Teksasi Brian Babin.

Urdhri ekzekutiv përballet me sfida të mëdha ligjore, përfshirë shumë padi për bllokimin e tij. Prokurorët e përgjithshëm demokratë nga 22 shtete kanë ngritur një padi duke argumentuar se urdhri shkel Amendamentin e 14-të të kushtetutës amerikane.

“Gjykata e Lartë e rikonfirmoi atë në një rast që përfshinte një grup të madh emigrantësh kinezë, duke pohuar se Amendamenti i 14-të vlente edhe për këta njerëz dhe ata më pas ishin në gjendje të merrnin shtetësinë”, thotë Tuyet Duong nga Forumi Kombëtar i Grave Amerikane të Azi-Paqësorit.

Një gjykatës federal në Siatëll e ka bllokuar përkohësisht zbatimin e urdhrit të Presidentit Trump për shtetësinë përmes lindjes. Nëse çështja arrin në Gjykatën e Lartë, vendimi i saj mund të krijojë bazën ligjore në vend për çështjen e shtetësisë. Nëse urdhri lejohet të hyjë në fuqi, të sapolindurit dhe ata që nuk kanë marrë çertifikatat e lindjes dhe numrat e sigurimeve shoqërore do të ndikoheshin menjëherë nga zbatimi i tij.