Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme ka vendosur mbulimin e shpenzimeve të mjekimit për mjekun Arvin Dibra, në shumë dy milionë lekë të reja.
Ky vendim vjen disa muaj pasi mjeku kirurg i QSUT-së, mbeti i plagosur aksidentalisht më 10 gusht kur u hodh në lumin Buna për t’u larë dhe u përplas me gurët në thellësi, duke shkaktuar dëmtime serioze. Pas ndihmës së marrë në Shqipëri, ai më pas u nis drejt Italisë për trajtim të mëtejshëm.
Gjendja shëndetësore e doktorit, i cili ka gjithashtu nënshtetësi italiane, nisi të përmirësohej pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të suksesshme për të trajtuar dëmtimet në pjesën e qafës dhe rruazat e lidhura me shtyllën kurrizore, por vijon të ketë nevojë për trajtim..
Prof. Dr. Arvin Dibra aktualisht mban postin e shefit të Klinikës 1 Kirurgjikale në QSUT dhe drejtues i Departamentit të Kirurgjisë në Universitetin e Mjekësisë.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, dhe në vijim të vendimit nr.15, datë 9.1.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2025”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Arvin Dibra, në masën 2 000 000 (dy milionë) lekë.
2. Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
3. Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.
4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare””, thuhet në njoftimin zyrtar.