Me argumentin se përbëjnë “rrezik për sigurinë kombëtare”, Serbia i ka ndaluar hyrjen për një vit në territorin e saj 14 përfaqësuesve të shoqërisë civile nga Austria, Kroacia, Sllovenia, Republika Ceke, Rumania, Moldavia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Gjatë 21 dhe 22 janarit ata ndodheshin në Beograd me ftesë të fondacionit austriak Erste për të diskutuar “strategjitë përmes të cilave organizatat jo qeveritare mundet të krijojnë të ardhura”. Një aktivitet tërësisht apolitik dhe pa asnjë lidhje me protestën antiqeveritare nisur prej nëntorit të vitit të shkuar.
Gazmir Memaj nga fondacioni “Mary Ward Loreto” dhe Edlira Lilaj nga “Organizata Help” në Tiranë, ishin pjesë e të 14 anëtarëve të shoqërisë civile, të cilëve shërbimi sekret serb, në bashkëpunim me policinë, i intervistuan dhe vendosën në pasaportat e tyre vulat e ndalimit të hyrjes në Serbi për një vit.
Gazmiri dhe Edlira kanë folur ekskluzivisht për Top Channel, se si nisi e gjithë kjo histori e ndalimit dhe çfarë ndodhi në komisariatin e policisë në Beograd në Bulevardin “Despot Stefani” numër 107.
“Ne kishim dalë për shëtitje. Në momentin që jemi kthyer në hotel na ndaloi policia. Vetëm njëri nga oficerët e policisë tregoi dokumentin identifikues. Ishin të gjithë të veshur civil dhe na kërkuan dokumentet e identifikimit. Na shoqëruan në polici me makinë personale jo makinë me shenja dalluese të policisë”, tha Lilaj.
“Dokumenti që na detyronte të largoheshim brenda 24 orësh dhe na ndalonte të hynim për një vit në Serbi ishte i gjithi në Serbisht dhe bona-fide e firmosëm pa e ditur se çfarë përmbante dokumenti. Na u tha nga policia se thjesht kemi informacione nga organet tona dhe do të marrim këtë masë ndaj jush. Pa ndonjë shpjegim tjetër. Dhe për rreth 2 orë e 30 minuta nuk na dhanë detaje tjera thjesht na thanë janë procedura që zgjasin. E më pas na është dorëzuar dokumenti”, ka thënë Gazmir Memaj.
Të dy shqiptarët e dëbuar nga Serbia janë të kujdesshëm të mbërrijnë në një përfundim të prerë përse kjo masë ndaj tyre.
“Nuk kemi pasur asnjë informacion pse na morën dhe përse u mor ky vendim. Tani kemi paqartësi dhe frikë se çfarë pasojash ka ky dokument më pas për ne”, tha Lilaj.
“Nuk di se si ta përkufizoj këtë ngjarje por mendimi im është se kemi të bëjmë me një paranojë politike. Është absurde të thuhet se ne të shoqërisë civile përbëjmë kërcënim për sigurinë kombëtare pavarësisht se agjenda jonë, objektivat tonë qoftë të organizatës apo të qëndrimit tonë ato ditë në Beograd nuk kishte lidhje me diçka që mund të lidhet me politikën dhe ngjarjet që po zhvillohen tani në Beograd dhe këtë e lidh me protestat e studentëve. Për mua e gjitha paranojë dhe sulm i pa precedentë ndaj shoqërisë civile i pa justifikuar dhe i pajustifikueshëm”, shton Memaj.
Edlira dhe Gazmiri përmes postës elektronike për ngjarjen vunë në dijeni ambasadën shqiptare në Beograd e cila shpreh keqardhjen dhe kërkon të dhëna të tjera për të informuar Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për të shqyrtuar me kujdes hapat që mund të ndërmerren. Kjo e fundit ende nuk ka komentuar se si do ta trajtojë rastin.