Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, ka sulmuar opozitën teksa u shpreh se gjatë qeverisjes së tyre shkatërruar mjedisin, duke “mbjellë mijëra çibanë të tmerrshëm në zonat e mbrojtura”.
Kumbaro u shpreh se PD nuk i ka pasur asnjëherë në prioritet bukuritë natyrore të vendit, duke theksuar se Ksamili u kthye në Bathoren e bregdetit.
“Se nuk do të përmend fare këtu Bathoren për modele, se mbase duket sikur është i vetmi, as Tiranën e vitit 2000, por Ksamilin që nga një kodër për ata që e mbajnë mend, zonë e mbrojtur u degradua në Bathoren e bregdetit, mijëra hektarë duke i hequr çdo arsye për biodiversitet, që ne sot me programet po e sjellim në terezi, duke sistemuar territorin, duke rritur edhe vlerën e objekteve të privatëve”, theksoi ajo.
Ministrja shtoi se maxhoranca do të sigurojë sërish votën më 11 Maj, “pikërisht në ato zona që po begatohen nga shpirti njerëzor për kundër shkretëtirës që ju promovoni”.
Mirela Kumbaro: Bukuritë natyrore aty kanë qenë në dekada e shekuj, por as nuk ka dashur të merret njeri dhe as nuk i ka pasur njeri në vëmendje, se prioritet jo se jo, por për ti shkatërruar, për të ndërtuar kuturu, pa plan me babëzinë që na kanë parë sytë si asnjëherë tjetër deri në 10 vite më parë. Ku mijëra çibanë të tmerrshëm u mbollën në territor në zona natyrore, në zona të trashëgimisë kulturore.
Këtë na latë trashëgim ju nga ana këtej. Se nuk do të përmend fare këtu Bathoren për modele, se mbase duket sikur është i vetmi, as Tiranën e vitit 2000, por Ksamilin që nga një kodër për ata që e mbajnë mend, zonë e mbrojtur u degradua në Bathoren e bregdetit, mijëra hektarë duke i hequr çdo arsye për biodiversitet, që ne sot me programet po e sjellim në terezi, duke sistemuar territorin, duke rritur edhe vlerën e objekteve të privatëve.
Kolegët e opozitës e shëtisin Shqipërinë dhe nuk reshtin, nuk ngurojnë ta promovojnë. Është Shqipëria e shqiptarëve jo thjesht e maleve dhe e pemëve. Ne për këtë jemi votuar dhe për këtë do të votohemi sërish më 11 maj, pikërisht në ato zona që po begatohen nga shpirti njerëzor për kundër shkretëtirës që ju promovoni.