Fshehja e këtij krimi që cënon rendë të drejtat dhe liritë themelore të personave fizikë u ka dhënë fuqi kompanive të sigurimeve që të vazhdojnë të transferojnë të dhënat personale të banorëve në një shtet tjetër

Informacionet e qindra e mijëra personave që kanë regjistruar dhe siguruar automjetet në Kosovë apo edhe ata që do bëjnë të njëjtën gjë në të ardhmen, janë transferuar në servera online të kompanive të huaja, veprim ky jo vetëm i jashtëligjshëm, por edhe i rrezikshëm për sigurinë personale dhe nacionale të vendit.

Ky krim financiar më i madh i pasluftës që ndikon drejtpërsëdrejti te qytetarët e Kosovës po anashkalohet nga të gjithë. Me këtë krim nuk u morën, e as nuk po merren gjykatat, ndonëse janë bërë padi ndaj këtij keqpërdorimi. I fshehur nga kompanitë e sigurimeve që janë të vetmet që përfitojnë, dy institucionet shtetërore që kanë përgjegjësi për mos ndalimin e këtij krimi, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) si dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), kanë injoruar në vazhdimësi kërkesat/ankesat e qytetarëve lidhur me shkeljen e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave të tyre.

Fshehja e këtij krimi financiar dhe mbi të drejtat dhe liritë themelore të personave fizikë, sidomos nga këto dy institucione, u ka dhënë fuqi kompanive të sigurimeve që të vazhdojnë të transferojnë të dhënat personale të banorëve të Kosovës në një shtet tjetër. AIP-ja nuk ka kryer inspektim dhe kontrolle për të verifikuar nëse janë cenuar të dhënat personale të qytetarëve, kurse BQK-ja është mjaftuar që t’ia hedh fajin AIP-së me arsyetimin se ka përgjegjësinë për të dhënat personale në Kosovë.

Të përballur me një gjendje të rënduar ekonomike, inflacionin në rritje, të pakënaqur me ndihmat ekonomike nga qeveria, në përpjekje çdo ditë për të ikur jashtë vendit, dhe një situatë të brishtë politike ku fokusi është përqendruar te dialogu me Serbinë, para syve e hundëve të kosovarëve po keqpërdoren dhe materializohen të dhënat e tyre personale.

“Pamfleti është informuar se janë 400.000 qytetarë që mund t’i padisin kompanitë e sigurimeve pasi nuk u informuan në fillim si është e rregulluar me ligj të Kosovës që të dhënat do t’iu transferohen jashtë. “Pamfleti” ka siguruar gjithë dokumentacionin dhe të dhënat rreth këtij skandali që dëshmojnë dorëzimin e zyrtarëve shtetëror për të luftuar kompanitë e sigurimeve. Në pamundësi për të marrë mbështetje nga shteti që të mbrojë të dhënat personale, A. G. (emër i njohur për redaksinë) ka shfrytëzuar të drejtën e padisë ndaj kompanisë së sigurimeve “Dukagjini”, ku ka regjistruar automjetin dhe të dhënat pretendon se janë dërguar jashtë shtetit.

Së pari ka deponuar ankesë në këtë kompani me datën 10.12.2021 dhe përgjigjja i është kthyer vetëm pas 11 muajve, pra më 11.11.2022, në të cilën përgjigje, kompania “Dukagjini” nuk është marrë fare me cenimin e të dhënave personale. Ndërsa, sipas legjislacionit në fuqi një përgjigje e tillë do duhej t’i kthehej palës brenda 30 ditëve. Një ankesë tjetër A.G ia ka nisur dhe AIP-së, të dorëzuar me 15.08.2022. Sipas ligjit AIP-ja obligohet që më së largu brenda 3 muajve të kthejë përgjigje. Tani kanë kaluar 6 muaj nga ankesa e A.G. dhe nuk ka asnjë njoftim nga kjo agjenci për të.

API-ja dhe BQK-ja nuk adresuan mashtrimin 

Teksa  bankat në Kosovë në momentin kur hapin llogari qytetarët i informojnë që të dhënat e tyre mund të transferohen në shtetet e treta. Kompania “Quantix” së bashku me grupin kriminel të kompanive të sigurimeve nuk e panë të arsyeshme t’i informojnë blerësit e policave të sigurimit, por e bënë këtë vetëm për përfitimet personale. Pas ankesave të qytetarëve ata tani kanë nisur ta bëjnë atë. Mirëpo, kompania “Dukagjini” nuk informon qytetarët nëse ka dërguar jashtë shteti të dhënat e tyre. Më 10 dhjetor të vitit 2021, sipas dokumenteve të siguruara nga gazeta, A.G e njofton kompaninë “Dukagjini” për dyshimet se janë keqpërdorur të dhënat nga polica e sigurimit të automjetit të tipit Mercedes që e ka siguruar në kompaninë e sigurimeve Dukagjini.

“Këtë kërkesë ju adresoj për shkak të shqetësimit që kam për të dhënat e mia personale. Ky shqetësim ka ardhur edhe për shkak se rastësisht gjatë ndejës me miq u cek edhe cenimi i të dhënave personale nga shumë institucione si bankat, marketet e mëdha, butikët, institucionet publike, Posta dhe Telekomi, madje edhe nga disa kompani të sigurimeve. Dhe, nder të tjera u shpreh shqetësimi se të dhënat tona personale i keni nxjerrë jashtë Kosovës”, thuhet në letrën drejtuar kompanisë “Dukagjini” të siguruar nga portali ku A.G.

Po ashtu kërkon nga kompania që të ketë qasje në të dhënat personale dhe njëkohësisht kërkon që t’i sqarohet nëse janë cenuar të dhënat e personale.

“Gjithashtu, ju kërkoj të më njoftoni nëse të dhënat e mia personale ju si kompani e sigurimeve i keni transferuar në ndonjë shtet tjetër jashtë Kosovës. Për fund ju kërkoj të ma siguroni një kopje të të dhënave te mia personale, me qëllim të verifikimit nëse po cenohen të drejtat e mia. Nga ju pres përgjigje shumë të shpejt”, thuhet mes tjerash në këtë email të dërguar kompanisë nga A. G., të ridërguar edhe më datën 22 të dhjetorit të po të vitit 2021, në adresë të kompanisë Dukagjini.

“E pres një përgjigje sa më shpejt, ose detyrohem që të ngrejë këtë çështje edhe te organet tjera të rendit dhe ligjit”, vijohet më tej. Më 13 janar të vitit 2022, qytetari A.G. i drejtohet kompanisë “Dukagjini” për herë të tretë me të njëjtën kërkesë dhe me përmbajtje të njëjtë, sikurse në dy kërkesat e saj të mëparshme. Kanë kaluar dy vite dhe kompania Dukagjini, nuk ka kthyer përgjigje.

Kontaktuar nga “Pamfleti” qytetari A.G. thotë se kontrata e sigurimit ka kërkuar të dhënat personale në detaje. “Arsyetimi i tyre ka qenë se këto detaje të të dhënave personale kërkohen me ligj”, thuhet në përgjigjen për “Pamfletin”.

Shteti neutralizon krimin financiar

Më 18 maj 2022, A.G i drejtohet BQK-së, dhe institucioni i kthehen përgjigje se keqpërdorimi i të dhënave personale është i sanksionuar me ligj. Prandaj, nga BQK-ja i sugjerohet se në rast të dyshimit dhe konstatimit për parregullsi mund ta paraqesë rastin për keqpërdorim të të dhënave personale në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

“…Edhe në vitin 2021, BQK-ja kishte kthyer të njëjtën përgjigje në adresë të qytetarit pa e trajtuar më tej çështjen. Vetëm kaq është aktiviteti i BQK-së për të mbrojt të dhënat e kosovarëve. Të njëjtën përgjigje A.G. ka marrë dhe nga AIP-ja. Nga agjencia A.G. i sugjerohet se “nëse kompania e sigurimeve “Dukagjini” nuk ju ofron informacione apo qasje në të dhënat personale të përcaktuara në nenin 14 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, apo pas përgjigjes supozoni se kompania në fjalë bën përpunimin e të dhënave personale apo transferimin e të dhënave në kundërshtim me ligjin, ju mund t’ju drejtoheni Agjencisë me ankesë duke paraqitur faktet të cilat ju supozoni që ekzistojnë”.

Por, edhe pas informimit të AIP-së me faktet, A.G. nuk ka marrë përgjigje për rastin. A.G ka bërë padi më 06.12.2022 dhe asnjë veprim që nga kjo datë nuk ka nga gjykatat. “Janë shterur të gjitha mekanizmat ligjor dhe asnjë reagim apo veprim nga organet kompetente”, thuhet në një përgjigje për portalin nga zyra ligjore që mbron të drejtën e A.G.

Koha Juaj.com është një media që gazetarinë e konsideron mision dhe jo mjet pasurimi. Na ndiqni se nuk do zhgënjeheni!