Ashtu siç ishte parashikuar në projektvendim, për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, për parlamentarët e vitit 2025, qarkut Tiranë i shtohet një deputet dhe atij të Korçës i hiqet një. Miratimi u bë në mbledhjen e komisionit rregullator të KQZ-së, ku anëtarët votuan numrin e mandateve.

Ndërsa dy qarqet pësuan ndryshim në numër, për dhjetë të tjerët ndarja mbetet e njëjtë. Kështu, qarku Berat – 7 mandate, Dibër – 5 mandate, Durrës – 14 mandate, Elbasan – 14 mandate, Fier – 16 mandate, Gjirokastër – 4 mandate, Kukës – 3 mandate, Lezhë – 7 mandate, Shkodër – 11 mandate, Vlorë – 12 mandate.

Komisioni në mbledhjen e radhës shqyrtoi edhe projektvendimin e kufijve dhe ngritjen e zonave të administrimit zgjedhor, të cilat do të jenë 93, teksa u vendos shtyrja e pikës mbi rregullimin dhe vlerësimin e votave jashtë Shqipërisë.