Julian Gjoshi, autori i vrasjes së Alfred Dedjas, do të dalë këtë të enjte para togave të zeza.
26-vjeçari do të njihet me masën e sigurisë, në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Ndroq disa ditë më parë.
Gjoshi ka thënë se e ka kryer vrasjen pasi 50-vjeçari e ofendonte tek persona të tretë.
Dedja, i njohur me pseudonimin “Daku” u ekzekutua pasditen e së dielës nga 26-vjeçari, Julian Gjoshi. E gjithë ngjarja ndodhi rreth orës 15:30 në një lokal në fshatin Ndroq, ku 50-vjeçari ishte duke konsumuar kafen.
Julian Gjoshi u fut në ambientet e lokalit dhe hapi zjarr ndaj 50-vjeçarit i cili fatkeqësisht si pasojë e plagëve të marra humbi jetën në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, autori arriti të largohej me një automjet tip “Benz ML”, ngjyrë të zezë.
Julian Gjoshi rezulton të jetë një emër mjaft i njohur për drejtësinë shqiptare. Përveç precedenteve penale, 26-vjeçari është kunati i Altin Hajrit, i cili rezulton në kërkim nga policia prej 4 vitesh për përfshirjen në zhdukjen e Jan Prengës në vitin 2020.