Kreu i LZHK, Dashamir Shehi ka komentuar sondazhet, sipas të cilave, 53% e qytetarëve nuk e dinë se si quhet deputeti i zonës së tyre.

Sipas tij kjo vjen si pasojë e ndryshimit të ligjit, pasi siç u shpreh ai ndryshimi i ligjit ka bërë vertikalizimin e pushtetit dhe ngritjen e kryetarit në kult.

Shehi tha se tashmë nuk ka më debate politike brenda partisë në pushtet dhe forca kundërshtuese, pasi kryetari është ai që vendos.

“Unë mendoj se duhet të ndryshojë ligji. Për mendimin tim ligji i vjetër ishte më i mirë, sepse edhe mazhortiarët tregonin deputetin në një territor të caktuar, sepse populli ka të drejtë të njohë deputetin që po delegon.

Gjithashtu dialektika e brendshme e politikës ishte më e gjallë, sepse një njeri që ka marr votën në terren ka një tjetër sjellje ndaj kryetarit, sepse ka marrë votat e popullit, ka investim personal në këtë mes.

Ky ligj ka vertikalizuar politikën, institucionin e kryetarit e ngre në kult. Që kur u ndryshua ligji nuk kemi më debat parlamentar, unë nuk kam parë desident më që nga 2009.

Më para bëhej debat mes deputeteve të Partisë Socialiste, kishte njerëz që kundërshtonin sot nuk ka më.

Janë 72 deputetë, po më gjete një të vetëm që ka kundërshtuar në katër vite më thoni. S’ka më, nuk ka më zë kundër”,- tha Shehi në Euronews.