Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, deputeti Dashamir Shehi, është shprehur se zgjedhjet duhet të mbahen në datën 4 maj, për të shmangur ‘infektimin’ e procesit zgjedhor nga festimet e 80 vjetorit të triumfit mbi nazifashizmin (9 maji) dhe mbledhjes së Komunitetit Politik Europian në Tiranë.

Shehi tha se këto 2 evente do të përdoren nga kryeministri Edi Rama, i cili do të përpiqet të përdorë gjithë burimet njerëzore, mediatike dhe europiane për zgjedhje.

Lidhur me pretendimin e kreut të KQZ, Ilirian Celibashi, i cili tha se zgjedhjet duhet të mbahen në 11 maj, për të marrë më shumë kohë për t’u përgatitur, Shehi iu përgjigj me ironi se ‘nuk shëndoshet Dashi për ditë Bajrami’, duke nënkuptuar se një javë nuk bën asnjë lloj diference.

Pjesë nga fjala e Shehit:

PD këto 4 vite vetëm ka asgjësuar rivalët e vetë, asgjë tjetër. Edhe thonë jemi të bashkuar, si jemi të bashkuar, po kaq ishim, u bëtë më pak. Nuk është se votojnë ata militantë, ata janë besnikët e partisë dhe mirë bëjnë që janë, se po lodhen. Por nuk votojnë ata. Votojnë qytetarët.

Kur e shikojmë që kjo nuk jep më rezultat, hajde gjejmë një tezë tjetër politike. Ne kemi bërë protest përditë, dolëm 2 vite nga Parlamenti. Ky lloj radikalizmi bosh, që hajde dalim nga zgjedhjet, nuk bëmë asgjë, ia lamë në dorë Edi Ramës të gjitha institucionet. Ne kemi dalë nga Parlamenti, futu more në Parlament, jep alternativën tënde. Ti pakicë je, në cilin vend kalon propozimi i pakicës. Mëshirë nga Edi Rama do kërkosh ti.

Dje i thirri Presidenti. Nuk shkuan. Ik te Presidenti, jep datën që ti do dhe jep argumentat. Ne kërkuam 4 majin, sepse në 9 maj këtu bëhet ajo festa për europën këtu, e bën Edi Rama. Si me thënë, mitingun përmbyllës PS e bën me Macronin. Përtej kësaj, data 9 maj është data e fitores mbi nazifashizmin. Këtu për një javë do fillojnë festimet me shall të kuq, me veteranë, etj.

Por këto gjëra mund të bëhen pas zgjedhjeve, nuk kanë pse bëhen para zgjedhjeve, sepse i afektojnë këto zgjedhjet. Është një skenar i përgatitur, e ka gratis PS një mobilizim të madh popullor, mediatik dhe ndërkombëtar. Edhe Celibashit do ia jap arsyen. I them që nuk shëndoshet Dashi në ditë Bajrami. Po Celibashi ka 2 vite, pse një javë e ndryshon këtë punë?

Çfarë i thashë Presidentit. Z.President, keni mundësinë, detyrën dhe nderin që të bëheni të paanshëm. Kjo është një kërkesë e vogël e opozitës. Kriminalitetin dhe vlerjen e votës ti nuk e heq dot, por këtë Presidenti mund ta bëjë.

Unë nuk i kam munguar ndonjëherë fushatës elektorale. Por fushata ime nuk janë tam tamet e mëdha, se ato duan para. Unë nuk i kam mundësitë.