Një varkë turistike u mbyt në Detin e Kuq , ndërsa ndodhej në brigjet e qytetit Marsa Alam. Nga 45 në bord, 17 janë ende të zhdukur.

Bëhet fjalë për anija turistike “Sea Story”, e cila ka lëshuar një sinjal shqetësimi në orën 05:30 të mëngjesit me orën lokale. Sipas autoriteteve, në bord kishte 45 persona, mes tyre 31 turistë nga vende të ndryshme dhe 14 anëtarë të ekuipazhit. Deri më tani janë shpëtuar 28 persona, ndërsa 17 të tjerë janë të zhdukur.

Anija ishte nisur të shtunën (23/11) nga një port pranë Marsa Alam, Egjipt, për një lundrim pesë-ditor që do të ofronte mundësi zhytjeje për turistët, sipas guvernatorit të provincës së Detit të Kuq.

Gjeneralmajor Amr Hanafi tha se të mbijetuarit u gjetën në zonën Wadi el-Gemal, në jug të Marsa Alam, një destinacion popullor turistik në bregun jugor të Detit të Kuq të Egjiptit, i rrethuar nga pika zhytjeje, duke përfshirë shkëmbinjtë e famshëm koralorë.

Ai shtoi se luftanija El Fateh e Marinës egjiptiane dhe avionët ushtarakë po marrin pjesë në kërkimin e personave të zhdukur.

Sipas faqes së internetit të Dive Pro Liveaboard, pronari dhe kompania menaxhuese e anijes, e gjatë 44 m “Sea Story” është ndërtuar në vitin 2022 dhe ka katër kuverta dhe 18 kabina që mund të strehojnë deri në 36 pasagjerë./ kohajuaj