Pas 15 vitesh ndryshon serish harta parlamentare në Greqi duke e bërë PASOK partinë e vetme zyrtare opozitare, pasi dy deputet nga partia  Syriza janë larguar këtë të enjte.

Zhvendosja e opozitës do të ringjallë një betejë më tradicionale për qendrën politike që dominonte politikën greke përpara se një krizë borxhi 2009-18 të shkaktonte vite paqëndrueshmërie sociale dhe politike.

Agjencia Reuters shkruan se, “mesditën e së enjtes dy deputete të tjera kanë dhënë dorëheqjen nga grupi parlamentar i Syriza-s  dhe si rezultat kjo parti mbeti me 29 deputetë, dy më pak se socialistët e PASOK-ut.

Para dy javësh 4 deputetë të tjerë janë larguar nga kjo parti pas përçarjes së re të saj dhe deklaratës së ish-liderit Stefanos Kasselakis se do të krijonte një forcë të re politike.

Me një deklaratë për shtyp partia SYRIZA konsideron veprimet e deputetëve të larguar si shkelje flagrante të vullnetit të popullit grek dhe diversion institucional pasi humbet pozicionin zyrtar të opozitës kryesore, disa ditë para zgjedhjeve për liderin e ri të saj.

Vlen për tu përmendur se partia që përfaqëson opozitën zyrtare, d.m.th partia më e madhe në parlament, ka edhe më shumë privilegje institucionale, por jo ekonomike sepse subvencionimi shtetëror rezulton nga pozicioni i partive në zgjedhjet nacionale dhe nga numri i votave që ato marrin, jo nga ndryshimet e mundshme gjatë një mandati parlamentar.

Nga ana tjetër sipas nenit 20 të Rregullores së Parlamentit: “Kryetari i grupit më të madh parlamentar që nuk merr pjesë në qeveri quhet lider i Opozitës Zyrtare dhe ka të drejta të veçanta të njohura nga Rregullorja dhe dispozitat e shkruara”.

Për rrjedhojë, lideri i PASOK-ut, Nikos Androulakis, konsiderohet tashmë si figura e katërt politike radhazi pas Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit.

Sipas rregullores, kreu i opozitës zyrtare, ashtu si kryeministri, mund të emërojë deri në tre deputetë – përfaqësues të tij, në ndryshim nga dy që kanë të drejtë kryetarët e partive të tjera opozitare.

Në të njëjtën kohë, opozita zyrtare mund të ngrejë dy çështje para debateve të përditshme. Sa i përket planifikimit hapësinor, ndryshime do të ketë edhe në zyrat që disponon çdo parti në parlament. Gjithashtu Pasok-u  tani do të ketë mundësi për të pasur më shumë bashkëpunëtorë.

Hera e fundit që PASOK-u ka qenë opozitë zyrtare ka qenë më 3 tetor 2009, një ditë para zgjedhjeve parlamentare të 4 tetorit.