Eduart Reçi, 52 vjeç, humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri pak para mesnatës së të enjtes në Tiranë. Deri më tani motivet dhe autorët e kësaj ngjarjeje shumë të rëndë mbeten mister. Gazetari Merin Maçi sqaroi në emisionin “Opinion”  të gjithë dinamikën e ekzekutimit.

“Ka qenë në këtë godinë pesëkatëshe së bashku me bashkëshorten e tij ku kanë disa ambiente që i japin me qira në formën e AirBnB. Po në këtë zonë kanë një banesë në këtë pallat, ndërsa është dhe një biznes po në pronësi të 52-vjeçarit të dhënë me qira. Rreth orës 22:44 ka qenë në ambientet e godinës pesëkatëshe së bashku me bashkëshorten duke kryer disa procese të mirëmbajtjes së kësaj godine. Në orën 22:44 është shquar nga kamerat teksa del vetëm. Në duar ka telefonin, teksa shihet duke shkruar”, tha Maçi.

Në të njëjtën minutë, Maçi thotë se dëshmitarët kanë dëgjuar një të shtënë të mbytur.

Prandaj dyshimet e policisë janë që qitja është bërë me një armë sportive të shkurtër.

Kjo pasi armët sportive nuk prodhojnë aq shumë zhurmë.

“Nuk është ajo zhurma karakteristike e armëve të zjarrit. Mund të ketë përdorur silenciator ose armë sportive. Të paktën ky është dyshimi i grupit hetimor që qitja është bërë me armë sportive të shkurtër”, tha Maçi.

Pasi është qëlluar 52-vjeçari ka rënë në tokë. Kanë qenë stafi i biznesit të lëshuar me qira prej tij që e kanë konstatuar të shtrirë. Ata janë afruar për t’i dhënë ndihmën e parë. Pasi janë afruar edhe klientë në lokal, por edhe të afërm të tij kanë bërë lajmërimin e policisë në orën 23:00, rreth 15 minuta pasi është qëlluar.

“Denoncimi është bërë për një person të gjakosur, ndoshta edhe për shkak të tronditjes që kanë pësuar nga skena që kanë parë”, tha gazetari.

Policia kur ka parë skenën e ngjarjes ka kuptuar që kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale. Nga analizat e bëra rezulton se Reçi kishte në trup një gëzhojë 7 milimetërshe.

“Në spital është parë që plumbi që ka marrë 52-vjeçari është në pjesën e djathtë të kokës, mbi vesh. Një plumb i vetëm. Për disa orë ka luftuar me jetën, por nuk ka arritur të mbijetojë”, tha gazetari.

Në kamerat e sheshpushimit nuk ka asnjë gjurmë të personit që mund të ketë gjuajtur.

Nga eksperimentimet e kryera sot dyshimet janë se goditja mund të ketë ardhur nga një objekt pas krahëve të tij, në një distancë gati 20-30 metra.

“Nga grupi hetimor më thonë që nuk është pistoletë, një armë që ka precizion dhe në këtë kushte dyshimet janë për një armë sportive. Ajo që e bën më enigmë, është e kaluara e 52-vjeçarit”, tha Maçi.