Vatikani deri tani nuk e ka njohur Kosovën, megjithëse ka marrëdhënie të afërta me të që nga koha e Ibrahim Rugovës.

Sekretari i Shtetit i Selisë së Shenjtë, Paul Richard Gallagher, njeriu më i afërt i Papa Françeskut, po zhvillon një vizitë zyrtare treditore në Tiranë. Dje ai zhvilloi në Rrëshen, ku kishën e drejton prifti-influencer Gjergj Meta, mbledhjen e Këshillit Episkopal shqiptar. Duket se për herë të parë ndodh një devijim nga Shkodra në Mirditë i qendrës gravitacionale të katolikëve në Shqipëri, e ky është sinjal i rëndëshëm.

E pas takimit të Mirditës, Sekretari i Shtetit të Vatikanit ka takuar një Mirditore që mban rolin e dytë të shtetit shqiptar, kryetaren e Parlamentit, Lindita Nikolla. Siç bën të ditur zyra e shtypit e Kuvendit, imzot Gallagher, siç e ka titullin si kryepeshkop, ka bërë të ditur se Vatikani është një hap pranë njohjes së Kosovës, tani pas marrëveshjes së Ohrit.

“Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë një prioritet për Selinë e Shenjtë. Ne besojmë se Shqipëria ecën në drejtimin e duhur, drejt destinacionit të saj evropian dhe se kjo vizitë është dëshmi e këtij besimi. Selia e Shenjtë inkurajon dhe mbështet normalizimin e  marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit si një hap drejt afrimit të njohjes së Kosovës”, ka thënë krahu i djathtë i Papës në takimin me Nikollën.

E cila i ka konsideruar marrëdhëniet me Vatikanin përtej një relacioni ndërshtetëror.

“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Vatikanit shkojnë përtej marrëdhënieve institucionale, ato janë shpirtërore dhe frymëzuese për shqiptarët, si një komb me vlera e simbole të fuqishme. Shqipëria është toka e Gjergj Kastriotit, heroit tonë kombëtar , Atletit të Krishtërimit, dhe e Shenjtores Nënë Tereza”, ka deklaruar Nikolla.

E cila ka shtuar se Shqipëria do të vijojë të rrisë investimet e Vatikanit në Arsim në Shqipëri, ku ka një rrjet shkollash të të gjitha niveleve.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, i ka konsideruar shkollat dhe Universitetin katolik në Shqipëri “Zoja e Këshillit të Mirë” si qendra ekselence.

Ndërkaq, siç njofton zyra e shtypit e Kuvendit, Lindita Nikolla i ka kërkuar Vatikanin  të njohë zyrtarisht Kosovën.

Imzot Paul Richard Gallagher theksoi se Selia e Shenjtë do të vijojë programet dhe projektet në Shqipëri dhe ne vlerësojmë me kënaqësi se institucionet arsimore katolike në Shqipëri janë xhevahirë mes institucioneve të tilla në vende të tjera.

“Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë një prioritet për Selinë e Shenjtë. Ne besojmë se Shqipëria ecën në drejtimin e duhur, drejt destinacionit të saj evropian dhe se kjo vizitë është dëshmi e këtij besimi. Selia e Shenjtë inkurajon dhe mbështet normalizimin e  marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit si një hap drejt afrimit të njohjes së Kosovës”, ka thënë Gallagher.