Ahou Daryaei u zhvesh me të brendshme në një kampus universitar në Teheran pasi u sulmua nga policia e moralit. E ndalur nga regjimi (sipas të cilit ka probleme psikiatrike), ajo tashmë është kthyer në një simbol të luftës kundër represionit të grave në Iran.
Tashmë nëpër muret e Teheranit kanë filluar të shihen shkrime: “Ne jemi të gjitha “vajza e universitetit”. Ilustrime, piktura që e përshkruajnë atë, “vajza universitare” me të brendshme duke ecur nëpër kampusin e Universitetit të Shkencës dhe Kërkimit në kryeqytetin iranian.
Ka në versionin heroinë me flokë të gjatë e të zinj në vend të mantelit, ose në versionin gjigant, përballë një grupi burrash me mjekra të gjata, shumë të vegjël, të cilët i drejtojnë gishtat tregues.
Emri i saj është Ahou Daryaei, që do të thotë “gazelë deti”, dhe ajo është një tjetër grua e re iraniane që bëhet simbol i luftës së të gjithëve, e mbuluar, e heshtur, e ndëshkuar nga Republika Islamike. Gjesti i saj, i fortë, por paqësor u filmua dhe u shpërnda mijëra herë. Në video, Daryaei ecën gjysmë lakuriq në një trotuar përballë universitetit. Ajo shihet ulur mbi një mur, e zhveshur teksa gratë e mbuluara deri në këmbë, të shokuara lëvizin gjithandej.
Ka dy versione të historisë në Iran. Shumë, duke përfshirë një OJQ të drejtuar nga studentë iranianë, thonë se Daryaei u keqtrajtua nga sigurimi i universitetit sepse ajo nuk ishte e mbuluar siç duhet. Ajo kishte vetëm kapuçin e një xhupi në kokë dhe jo një vello. Ka nga ata që kanë një histori tjetër, e cila mund të jetë më e përshtatshme për narrativën e përcjellë nga regjimi. Në një artikull të BBC Farsi raportohen dëshmitë e dy studentëve.
Sipas tyre, Daryaei ka probleme mendore dhe para se të zhvishej nuk ka pasur asnjë incident me sigurimin e universitetit, por ajo kishte hyrë në disa klasa duke filmuar me celular shokët e tjerë të klasës, duke ndërprerë mësimin. Në deklaratën zyrtare të universitetit flitet edhe për “probleme psikologjike”.
E sigurt është se ajo është marrë nga policia dhe duhet të jetë dërguar në një repart psikiatrik. “Kemi frikë për sigurinë e saj. Nëse gjërat shkojnë mirë do ta mbushin me drogë, nëse gjërat shkojnë keq mund ta rrahin dhe ta torturojnë”, – shkruajnë OJQ-të.
Mahsa Amini, Nika Shakarami, Armita Garawand dhe shumë vajza të tjera në dy vitet e fundit u torturuan, përdhunuan dhe më pas u vranë sepse hodhën poshtë ligjet e teokracisë, duke vënë trupat e tyre të paarmatosur kundër padrejtësive të ajatollahëve në Iran.
Nuk është e lehtë të konfirmosh nga këtu se cili version i historisë së “vajzës së universitetit” është i saktë. Nëse studentja e re e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge zgjodhi vërtet të hiqte rrobat e saj për të protestuar kundër represionit të Republikës Islamike, siç raportojnë aktivistët, duke përfshirë fituesen e çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi dhe Amnesty International. Apo nëse akti i saj është irracional, i një personi që vuan.
Megjithatë, kjo konfirmon modele që përsëriten dhe të cilat, pavarësisht nga versioni i ngjarjeve, tregojnë gjendjen e shoqërisë iraniane. Kur një grua reagon ndaj ligjeve të padrejta të regjimit, në Iran është praktikë e autoriteteve ta përkufizojë atë si “të çmendur”, “të paqëndrueshme”, në mënyrë që të jetë në gjendje të minimizojë gjestin e saj.
Megjithatë reagimi i shkaktuar nga trupi pothuajse i zhveshur i Daryaeit nga bashkëmoshatarët e saj dëshmon urgjencën për liri të të rinjve iranianë, të cilët në çdo gjest, në çdo akt të guximshëm e lidhin fatin e tyre të luftës me shtypjen e diktaturës.
Një studente nga Teherani na shkruan: “Të ecësh nëpër rrugë lakuriq është makthi im i përsëritur. Është gjesti më i dhunshëm që ne femrat mund të bëjmë ndaj ajatollahëve” që e shohin trupin e grave si të rrezikshëm, simbol të mëkatit.
Narges Mohammadi shkruan nga qelia e saj në Evin: “Vajza që proteston në universitet e ka shndërruar trupin femëror, të cilit regjimi përpiqet ta bëjë një instrument turpi, represioni dhe seksualizimi, në një simbol të fuqishëm proteste kundër tij”.
Teksa Republika Islamike kërcënon me një përgjigje të egër ndaj sulmit të Izraelit më 26 tetor, në rrjetet sociale flitet vetëm për Ahou Daryaei, “vajza nga universiteti”, simboli i ri i lëvizjes “Gruaja, Jeta, Liria”.