Edi Rama e sheh si shumë zhurmë për asgjë të gjithë vëmendjen që ju dha çështjes së Fredi Belerit duke u kthyer një çështje mes dy shteteve. Në një intervistë për mediat greke pas takimit të Selanikut me emigrantët, Rama sqaron dhe arsyet përse nuk u takua me Belerin kur erdhi në Tiranë javën e shkuar si pjesë e delegacionit të eurodeputetëve për Komitetin e Stabilizim-Asociimit.
“Drejtësia në Shqipëri është e pavarur dhe askush nuk mund të ndërhyjë në të, as qeveria shqiptare, as qeveria greke dhe sistemi i drejtësisë shqiptare ka marrë një vendim. Pra, ky vendim nuk është për diskutim, është vetëm për zbatim. Dhe një tjetër lajm i rremë është se unë refuzoj të takohem me të, sepse kjo nuk është e vërtetë. Unë thjesht nuk kam takime me eurodeputetët dhe kaq. Nuk i kam takuar europarlamentarët, jo tani, por as në të kaluarën”, tha Rama.
Rama siguron që kjo çështje gjithsesi nuk e ka dëmtuar miqësinë e tij me kryeministrin Mitsotakis, miqësi që saktëson që nuk prevalon mbi interesin kombëtar.
“Ajo që ndodhi nuk e ndryshon pikëpamjen time se Kyriakos është një lider shumë modern i Greqisë dhe unë e shoh atë si një person shumë inteligjent. Shumë i arsimuar, politikan shumë i zoti. Kështu që unë kam për të veç respekt dhe miqësi dhe ne jemi miq. Unë e konsideroj atë një mik të mirë. Sigurisht që ai është kryeministri i Greqisë dhe unë jam kryeministër i Shqipërisë dhe në këto poste mbizotërojnë interesat kombëtare apo çfarëdo që ju konsideroni interesa kombëtare mbi miqësinë dhe kështu është, por nuk shoh asnjë problem nga ana ime për të forcuar më tej këtë marrëdhënie me Greqinë”, tha Rama.
I pyetur për çështjen e pronave të minoritarëve grekë në Himarë, kryeministri u thotë gazetarëve greke se janë të keqinformuar dhe një pjesë e tyre kanë dezinformuar me lajmet për këtë çështje.
“Ka një keqkuptim total për pronat në Himarë, dhe ka shumë dezinformata në lidhje me çështjen e pronës, sepse nuk ka një gjë të tillë si problem specifik të pronave atje. Ka një çështje në gjithë Shqipërinë për pronat, të cilën po e përballojmë çdo ditë dhe po përparojmë. Dhe në fakt me kryebashkiakun e ri të Himarës po bëjmë shumë punë të mirë dhe brenda pak javësh do të përfundojmë regjistrimin e të gjitha shtëpive në të gjithë bashkinë. Kështu që gjithçka që kam lexuar, dhe kam lexuar shumë marrëzi në mediat greke për shpronësimet, apo disa devijime, nuk bazohen në fakte. Kjo është thjesht propagandë”, tha Rama.
Ashtu siç e tha dhe në fjalimin me shqiptarët që morën pjesë në takimin e Selanikut, Rama rikthekson se për të është shumë e rëndësishme miqësia mes dy popujve.