Kryeministri Edi Rama gjatë takimit këtë të martë me pensionistët në Fier, u shpreh se qeveria do të ndërmarrë hapa më të fortë në lidhje me detyrimeve shoqërore nga punëdhënësi dhe punëmarrësi.

Sipas tij përmes kontributeve shoqërore, paguhen pensionet për të moshuarit dhe për të shmangur mosdeklarimin e tyre, qeveria do të ndërhyjë.

“Kemi një problem serioz, shmangien e detyrimeve shoqërore nga punëmarrësit dhe punëdhënësit dhe këtu është koha për një tjetër përpjekje të fuqishme nga ana jonë. Taksat nuk janë për të paguar pensionet, por janë për të gjitha ato që i duhen shtetit, për shkolla, çerdhe, sigurimet shoqërore janë për pensionistët.

Dhe kush i shmanget i heq të drejtën pensionistëve që të marrë një pension më të mirë. Do ndërhyjmë shumë fort kundër kësaj vjedhjeje.

Me gjithë respektin, kjo është grabitje dhe ne do i qepemi mbrapa të gjitha kompanive për të marrë kontributet për pensionistët njësoj siç iu qepëm, atyre që nuk paguanin energjinë elektrike”, tha Rama.