Një nga personazhet më të njohur të botës së krimit në Shqipëri, Durim Bami, është arrestuar për të dytën herë në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ndalimi i Durim Bamit është kryer në datën 21 Tetor 2024, fiks në ditën kur në Tiranë u prangos ish-presidenti iShqipërisë, Ilir Metaj.
Gazetari i “Ora News” Elton Qyno, ka mësuar se Durim Bami është ndaluar nga policia e Dubait dhe po bën 5 ditë që mbahet i izoluar.
Nuk dihet me saktësi se cilat janë rrethanat që kanë shtyrë arrestimin e tij për herë të dytë nga policia e Emirateve.
Informacionet për arsyen e arrestimit të Bamit në Dubai, po mbahen tepër diskrete nga Policia e Shtetit dhe prokuroria e posaçme SPAK, të cilat nuk japin asnjë koment.
Kjo është hera e dytë që Durim Bami, arrestohet nga policia e Dubait.
Herën e parë ai u ndalua për llogari të SPAK-ut në muajin qershor 2024, pasi prokurorët e posaçëm, kishin lëshuar në muajin maj një mandat arresti si i përfshirë në kultivimin e parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës, sigurimin e kushteve për të vrarë ish-deputetin e PS-së në Lezhë, Arben Ndoka, si dhe sigurimin e kushteve për të vrarë dy miqtë e
Ervis Martinajt, Erigers Mihasin dhe Hektor alias Tori Xheçuka.
Por për këtë arrestim, Durim Bami, mundi të lirohej nga gjykata e Dubait.
Ndërsa arrestimi i dytë i Bamit është kryer në 21 Tetor dhe ende nuk dihet me saktësi nëse ndaj Durim Bamit është lëshuar një masë sigurimi e dytë “arrest me burg” nga SPAK, që detyroi policinë e Dubait të rivihet në lëvizje për të arrestuar për herë të dytë, Durim Bamin.
Tashmë Bami mund të jetë në procedurat e një ekstradimi të mundshëm, apo riatdhesimi të menjëhershëm, siç ndodhi me rastin e Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçajt, dy njerëzve të grupit të Durrësit të akuzuar për atentatin ndaj Landi Muharremit dhe prokurorit, Arjan Ndoja.