Ish-presidenti i vendit Ilir Meta, një nga figurat që ka mbajtur postet më të larta politike ndodhet në të njëjtin burg me disa nga emrat më të njohur të botës së krimit.
Meta po qëndron në qelitë e paraburgimit 313 në Tiranë, brenda ambienteve ku mbahen Nuredin Dumani, Leonard Duka, Emiljano Shullazi, Laert Haxhiu, disa prej cilëve i ka denoncuar edhe në daljet e tij publike.
Në këtë burg kryejnë dënimin persona që po hetohen apo gjykohen nga SPAK për vepra të rënda penale të kryera në kuadër të grupit kriminal, organizatës kriminale apo organizatës terroriste.
Pas caktimit të masës së sigurisë Drejtoria e Burgjeve vendosi ta zhvendosë Metën nga Blloku i sigurisë tek 313 për të pasur kontakte me avokatin për sa kohë çështja është ende në shqyrtim. Për shkak të pozicionit të tij, Ilir Meta nuk mund të qëndrojë në një qeli me persona të dënuar për vepra të tjera penale apo që kanë rekorde kriminale.
Gjithashtu edhe gjatë kohës së ajrimit ish-presidenti del i vetëm, për të mos pasur kontakte me të burgosurit e tjerë, në mënyrë që të mos krijohen incidente. Aktualisht Meta ndodhet në një dhomë survejimi dhe sipas ligjit mund të qëndrojë nga 1 deri në 10 ditë. Pas kontrolleve mjekësore, që janë procedurë standarde për çdo person në paraburgim, ish-presidenti do të vendoset në qeli.
Mësohet se komunikimi i tij me stafin e burgut ka qenë i qetë dhe nuk ka pasur asnjë problematikë. Gjatë këtyre ditëve ai është vizituar nga fëmijët dhe avokati i tij, Genc Gjokuajt. Vizitat miratohen pasi më parë merret leja nga prokurorët e çështjes. Kreu i Partisë së Lirisë do të qëndrojë tek 313 deri në përfundim e hetimeve të SPAK.
Në rast se ish-presidenti Ilir Meta ndjehet i pasigurt dhe i kërcënuar do duhet t’i bëj kërkesë Drejtorisë së Burgjeve për ta lëvizur në një tjetër qeli.