Gazetarja e Vizion Plus, Blerina Cene e cila ndoqi nga afër seancën gjyqësore të ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, dhe bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, të cilët akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, dha detaje se çfarë ndodhi brenda në sallë, ku ndodhej edhe kryeprokurori Altin Dumani.

Në një lidhje me Aleksandër Furxhi, Cene tha se të gjitha akuzat që Ilir Meta ka bërë publikisht ndaj Altin Dumanit, ia tha këtij të fundit ballë për ballë ndërsa ndodhej në seancën gjyqësore.

Gjithashtu gazetarja Cene bëri me dije se nëse krahasojmë seancën e Berishës me atë të Metës, ajo që bie në sy ishte mungesa e simpatizantëve të Partisë së Lirisë, ndryshe nga demokratët që ndjekin çdo seancë nga afër.

Furxhi: Çfarë të mbeti në mendje nga kjo ditë e gjatë?

Blerina Cene: Nuk është e rrallë që në sallën e gjyqit të ketë tensione. Por ajo që është për tu habitur është se akuzat, kërcënimet fyerjet dhe të gjitha deklarata që ne i kemi dëgjuar publikisht nga zoti Meta, ky i fundit ia deklaroi ballë për ballë kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumani. Diçka tjetër që më bëri përshtypje në fakt ishte mungesa e simpatizantëve të Partisë së Lirisë.

Nëse e krahasojmë me procesin e zotit Berisha, ky i fundit ka patur sipmatizantë dhe militantë të cilët e kanë ndjekur me kërshëri, këtë gjë nuk e vura re sot. Më mbeti në mendje një lloj “meaculpa” të zonjës Kryemadhi e cila i tha avokatit Genc Gjokutaj në sallën e gjyqit se përse nuk kërkoi që ndaj zotit Meta të lehtësohet pozita e tij ligjore në detyrim paraqitje. Sipas saj në arrest me burg e meritonte të ishte vetë ajo dhe jo ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta.