Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Tomi Frashëri, ishte sot për të dhënë shpjegime dhe detaje në Komisionin e Dezinformimit mbi sulmet kibernetike, qoftë atë të “Homeland Justice”, por edhe ato të faqeve ruse pas konfliktit dhe luftës në Ukrainë si dhe nivelin e sigurisë tek operatorët dhe qytetarët shqiptarë në shërbimet elektronike.

Drejtuesi i AKEP tha mes të tjerash në fjalën e tij, duke pohuar ato ç’ka kishte deklaruar kryetari i komisionit Erjon Braçe, për ndërhyrjet me qëllim dezinformimin, se “kemi mbyllur rreth 155 domaine ruse dhe 8 të tjera që i përkasin grupeve të hakerimit të të dhënave”

Ai shpjegoi ndër të tjera se sulmet ndodhën edhe për shkak të neglizhencës së operatorëve dhe personelit të patrajnuar, pasi nuk janë të vëmendshëm ndaj skanimit të sistemit dhe monitorimit, kryesisht në raste të festave dhe muajve të verës, ku kërkohet shërbim shtesë, sepse këto virusë apo maluare hyjnë në sistem, qëndrojnë aty si të fjetura dhe aktivizohen më pas.

“Qëllimi i tyre është të rrëzojnë sistemin, të nxjerrin nga shërbimi, të shkatërrojnë të dhënat. Ndaj nuk duhet hapur çdo mesazh që vjen në telefon apo në postën elektronike”, tha Frashëri.

Ai i kujtoi deputetëve të Komisionit, por edhe Parlamentit se edhe atyre u ka ndodhur që u kanë ardhur të tilla mesazhe me formë shantazhi (rasti SKY ECC).

Përsa i përket domaineve ruse, një kërkesë e parë ka qenë që në 3 Mars 2022, nga Komisioni Europian (BE), teksa më pas vendi u godit edhe nga sulmi kibernetik i Korrikut 2022, të hakerave iranianë, ku shumë faqe institucionesh dhe sisteme kibernetike u rrëzuan.

“Ne kishim marrë masat në AKEP dhe shumë pak ose aspak nga shërbimet tona u prekën”, tha Frashëri.