Sektori i turizmit po shfaqet si një lokomotivë e re, që pritet të tërheqë me forcë ekonominë e vendit në vitet që vijnë. Qeveria po i jep vëmendjen e merituar këtij sektori, duke e konsideruar si një prioritet strategjik.

Sipas draft Strategjisë Kombëtare të Turizmit 2024-2030, parashikohet që deri në vitin e fundit të kësaj periudhe, të regjistrohen rreth 70 milionë netë-qëndrime në të gjitha strukturat akomoduese të vendit.

Një objektiv ambicioz, duke marrë parasysh se numri i këtij treguesi pritet të rritet me 138% krahasuar me vitin e kaluar. Për të arritur këtë rritje të madhe, është thelbësore që hotelet dhe strukturat e tjera akomodues të investojnë në zgjerimin e kapaciteteve të tyre akomoduese.

Deri në vitin e kaluar, sipas të dhënave nga nga draft Strategjia Kombëtare e Turizmit, janë regjistruar rreth 270 mijë shtretër. Megjithatë, për të përmbushur kërkesat e ardhshme, parashikohet që deri në vitin 2030 numri i shtretërve të arrijë në 477 mijë, që do të thotë një rritje prej 76% në vetëm 7 vjet.

Ky transformim në sektorin e akomodimit do të kërkojë jo vetëm investime financiare, por edhe një fokus në cilësinë e shërbimeve dhe diversifikimin e ofertave turistike.