Shqipëria u rikthye te fitorja në Ligën e Kombeve, pasi mposhti minimalisht Gjeorgjinë, në sfidën e vlefshme për raundin e katërt.
Triumf me vuajtje për kuqezinjtë, që në një lloj mënyrë “hakmerren” për atë humbje në Tiranë një muaj më parë.
Ky sukses e ngjit Kombëtaren shqiptare në kuotën e gjashtë pikëve në vendin e tretë, po aq sa Gjeorgjia dhe Çekia e dy vendeve të para.
Ndeshja nisi spektakolare që në fillim, me raste të shumta në të dyja portat. Shqipëria regjistroi mundësin e parë të rrezikshme pas vetëm 2 minutave lojë, me një gjujatje të Qazim Laccit nga jashtë zone, e cila u ndal nga portieri.
6 minuta më vonë, ishte Ismajli që provoi me kokë, pas një skeme nga goditja e dënimit, por gjuajtja nuk kishte koordinatat e duhura.
Në minutën e 11-të, Strakosha bëri një pritje të shkëlqyer, për t’i mohuar avantazhin Davitashvili. Tuci ishte i pafat 3 minuta më vonë, kur pa gjuajtjen e tij të ndalej nga Mamardashvili. Minutat e mbetura ishin më të qetë dhe fraksioni i parë u mbyll me rrjeta të paprekura.
Pjesa e dytë nisi menjëherë me gol për Shqipërinë. Në minutën e 48-të, Kristjan Asllani pas një kombinimi me Tucin, ia doli ta dërgojë topin në rrjetë me një gjuajtje të fortë.
Ky gol i dha besim Shqipërisë, që krijoi edhe disa raste të tjera, me Bajramin dy herë dhe me Dakun, por topi nuk shkoi në rrjetë. Në minutat e fundit, Gjeorgjia shtoi presionin, por Ajeti dhe Strakosha mbajtën portën të paprekur në dy raste.
Vlen të përmendet se kjo është një fitore historike për Shqipërinë, që triumfon për herë të parë në Gjeorgji.