Gjithnjë e më shumë pensionistë italianë po shpërngulen në Shqipëri. Arsyeja? Të parat janë favoret fiskale që vendi ka për moshën e tretë.

“Zgjodha Shqipërinë për të shijuar këtë mjedis dhe këtë det. Erdha këtu në Durrës pasi jam i përjashtuar nga taksat. Këtu pensionet nuk tatohen. Pensioni im bruto është 1500 Euro, në Itali kam paguar rreth 350 euro taksa. Në Itali është e pamundur të jetosh në mënyrë dinjitoze”, thotë Carmine Iampietro nga Shoqata e Pensionistëve Italianë në Shqipëri.

Emisioni i “Është gjithmonë Cartabianca” në Rete 4 u ka kushtuar një reportazh pensionstëve italianë që jetojnë në vendin tonë duke i ndjekur ata në disa qytete si Durrës, Tiranë dhe Vlorë.

“Këtu mund të bëj gjëra që nuk i kam bërë më parë në Itali, që nuk më lejuan t’i bëja në Itali. Italianët vijnë këtu për klimën, koston e jetesës, kujdesin shëndetësor pasi vizitat kushtojnë më pak”, shprehet Roberta Zanninoni e shoqatës “Eja të Jetosh në Shqipëri”.

Madje disa prej këtyre të moshuarve kanë vendosur edhe të blejnë apartamente.

“Pensionistët italianë vijnë këtur pasi gjejnë çmime më të përballueshme në krahësim me Italinë”.

Ne reportazh tregohen hap pas hapi shpenzimet e të moshuarve që shijojnë në bregdetin tonë pjesën e mbetur të jetës,

“Lehtësimi i taksave që kam më lejon të jetoj mirë këtu dhe ndoshta të ndihmoj djalin tim që është në Itali”, shprehet një pensionist italian.

“Mos na tregoni që jemi shumë në formë ndryshe do të na heqin pensionin”, thotë një tjetër.

Sipas të dhënave të reportazhit të Rete 4, 30-40 pensionistë italianë zhvendosen çdo muaj nga përtej Adriatikut në vendin tonë.