Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, është shprehur kundër organizimit të përbashkët të kampionatit Europian për 21-vjeçarët, nga Serbia dhe Shqipëria.

Në një intervistë, Cana u shpreh i pakënaqur me këtë bashkëpunim.  Ai ndër të tjera tha se nuk ka asnjë lloj besimi tek faktori serb, gjithsesi deklaron se qëllimet e presidentit të FSHF-së, Duka mbeten të mira.

“Duka ka një meritë të jashtëzakonshme për zhvillimin e FSHF-së dhe të Shqipërisë. Është në bordin ekzekutiv të UEFA-s. Për Dukën kanë një respekt të jashtëzakonshëm, futbollistat e Serbisë kanë treguar respekt ndaj nesh, pjesa më e madhe e tyre na dolën në mbrojtje, por ndjenjat e tyre akoma nuk janë të sinqerta. Kjo përfaqësohet në çdo lloj aktiviteti që bëjnë. Unë këtu dalloj me ta.  

FSHF e kam mbrojtur dhe kam luajtur për ta, përfaqëson një simbol kombëtar. I them gjërat siç i ndjej dhe siç janë. Unë e shikon ndryshe për momentin këndvështrimin e Serbisë ndaj nesh. Armando Duka, dëshirat i ka të mira, nuk i ka të këqija, nuk është mënyra dhe momenti i duhur për të bërë diçka të përbashkët me ta. Në një të ardhme pse jo, me gjithë qejf, në qoftë se gjërat janë në rrugën e duhur.  

Armand Duka ende nuk po e di se me kë ka punë. Nuk pajtohem me vendimin e tij për të organizuar kampionat me Serbinë.  Punën e parë, unë vet nuk kam asnjë lloj besimi në sinqeritetin e tyre në çfarëdo lloj hapi që ndërmarrin me faktorin shqiptar dhe kur them me faktorin shqiptar, mundet me qenë Federata Shqiptare, Federata e Kosovës. 

Thjeshtë mendoj që nuk është mënyra dhe momenti i duhur për të bërë diçka të përbashkët me ta”, tha Cana