Edhe pse është një aeroport ndërkombëtar, në pistën e tij vetëm 50 pilotë në botë mund të ulin avionë. Ulja është vërtet sfiduese në Aeroportin e Paros në Bhutan, ku piloti duhet të manovrojë avionin mes majave 5500 metra të larta dhe duhet ta njohin thuajse përmendësh ambientin që i rrethon.

Paro është një aeroport i kategorisë C, çka do të thotë që pilotët duhet të kenë kualifikim të veçantë për të fluturuar aty. Zbritja duhet të realizohet manualisht, pa radar.

Për më tepër, aeroporti është i mbyllur gjatë natës dhe sezonit të stuhive. 97% e Bhutanit është zonë malore, ndërsa kryeqyteti Thimpu ndodhet 2350 metra mbi nivelin e detit, kështu që zgjedhjet për një aeroport më të zakonshëm ishin të pakta.

Por pavarësisht kushteve ekstreme, për pilotët e paktë që mund të ulin avionët aty, situata nuk është shqetësuese. “T’i sqarojmë gjërat. Paro është i vështirë, por jo i rrezikshëm”, thotë për CNN Kapiteni Chimi Dorji, i cili punon prej 25 vitesh për Durk Air, kompaninë shtetërore të Bhutanit.

Për të mos mbetur pa pilotë, Durk Air, e themeluar në vitin 1981, ka nisur një program trajnimi të të rinjve vendas që aspirojnë të punojnë me avionë. “Njohja e territorit është faktor i rëndësishëm”, thotë 43-vjeçari Dorji.

“Sa më lart ngjitesh, aq më i lehtë bëhet ajri dhe kjo ndryshon edhe shpejtësinë e avionit. Unë e konsideroj veten një urë lidhëse mes brezit të vjetër dhe atij të ri”.