Zbulohen detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë të njoftuar nga AMP, një ditë më parë, ku janë të përfshirë 3 efektivë të repartit “Shqiponja” të Policisë së Tiranës.
Siç raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, tre policët kanë ndaluar për kontroll rutinë në rrugën Tiranë-Fushë Krujë, një automjet ku ndodheshin dy persona. Shoferi u ka dhënë dokumentat dhe u ka kërkuar që të largohet pasi sipas tij kishte fëmijën të shtruar në spital, por efektivët nuk e kanë lejuar.
Në këto kushte qytetari, pas u ka treguar dokumentet është larguar me shpejtësi. Pas kësaj, polici Rezart Berberi ka nxjerrë pistoletën e shërbimit dhe ka qëlluar në drejtim të automjetit 2 herë, ku plumbat e kanë kapur në pjesën e pasme. Ngjarja është mbajtur e fshehtë nga policët, duke e fshehur, prishur provat në vendngjarje dhe hequr gëzhojat. Qytetari ka bërë kallëzimin për rastin pranë Prokurorisë së Tiranës, e cila nisi hetimet ku u vërtetua ngjarja e rëndë.
Dy efektivët me masë sigurie “detyrim paraqitje“, Elton Dokollari dhe Florian Zeneli kanë pretenduar se kanë vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi sipas tyre qytetari ka tentuar t’i përplasë me makinë. Polici që ka qëlluar me armë, Rezart Berberi, vijon të jetë në kërkim, në akuzë për “vrasje me dashje të mbetur në tentivë”, “falsifikim dokumentesh” dhe “kallëzim të rremë”.
Ngjarja ka ndodhur më 8 Mars të këtij viti.