Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar “Escort”, pas një hetimi të kryer me metoda speciale.

Arrestohen në flagrancë një shtetase ruse dhe një shtetase ukrainase, të cilat shfrytëzonin për prostitucion, shtetase të huaja të reklamuara në faqen “Escort Tirana”, dhe më pas shumat e parave të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, ia transferonin organizatorëve të kësaj faqeje.

Procedohen penalisht 11 shtetase, për ushtrim prostitucioni.

Sekuestrohen shuma parash, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e paligjshmërive në fushën e ushtrimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit, kanë regjistruar një procedim penal të vitit 2023 dhe kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Escort”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasja ukrainase A. T., 27 vjeçe, dhe shtetasja ruse E. M., 37 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, për veprat penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostiucionit” dhe “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.