Prokuroria e Kukësit kërkon konfiskimin e pasurive të shtetasit Fatjon Dauti, i arrestuar në Londër për “trafik droge” dhe “pastrim parash” dhe i njohur si ‘krahu i armatosur i ish-kryeministrit Sali Berisha, që sulmoi dhunshëm dhe u filmua teksa shkallmonte me shkelma derën e selisë së PD-së, në rebelimin e 21 Dhjetorit 2021, në betejën brenda vetë partisë.
Kërkesa bën fjalë për 3 pasuri; një apartament, njësi tregtare dhe një sipërfaqe truall.
I njohur si një mbështetës i ish-kryeministrit Sali Berisha, Dauti është arrestuar në Angli me 3 kg kokainë dhe pjesëmarrje në aktivitet kriminal, teksa ka qenë i akuzuar dhe arrestuar për tentativë vrasjeje gjithashtu.
Prokuroria konfirmoi nisjen e procesit hetimor dhe dorëzimin e kërkesës pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.
Gjithashtu në kërkesë përfshihen edhe të afërmit e Dautit, me veprën penale “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
“Dautaj ka qenë i arrestuar nga policia Metropolitane e Londrës, për veprën penale të “vrasjes mbetur në tentativë”, si dhe ka qenë në hetim nga Agjensia Kombëtare kundër Krimeve në Angli, për veprën penale “trafik droge” dhe “pastrim parash”, njofton prokuroria.
Më datë 6 Shtator 2013, në makinën e tij janë gjetur 3 kg kokainë dhe më datë 5 Mars 2014 i janë gjetur 64450 paund, që dyshohet se kanë lidhje me trafikun e drogës.
“Pas sekuestrimit të pasurisë për shtetasin në fjalë, më datë 19 Shtator 2024, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës kërkoi konfiskimin e pasurive”, sqarohet nga organi i akuzës.
Pasuritë janë si më poshtë:
– Pasuria e llojit “Njësi”, me sipërfaqe 100m2;
– Pasuria e llojit “Truall”, me sipërfaqe 64m2 dhe “ndërtesë” 64m2
– Pasuria nr. 7/285-N3, me sipërfaqe 30m2