Gazetarja Anila Hoxha ka reaguar pas deklaratave të Andi Bushatit, i cili i ka krahasuar gazetarët që raportojnë nga SPAK-u, me një “bandë” që shpërndan dezinformacion.

Deklarata e Bushatit vjen pas asaj që bëri ish-kryeministri Sali Berisha, duke kërkuar nga gazetarët që të kenë kujdes me ato çka raportojnë nga dosja e tij e korrupsionit në SPAK.

E sipas Bushatit kjo qëndron, pasi siç thotë ai, “SPAK ka krijuar një bandë dezinformatorësh që shpërndajnë lajme të rreme”.

Ndërkohë, gazetarja Hoxha e ironizon, duke thënë se ka vendosur të rrëfehet dhe t’i tregojë Bushatit se si funksionon “kjo bandë e gazetarëve mafiozë të SPAK-ut”.

Ajo merr si shembull paraqitjen e Bushatit në dyert e SPAK, kur u thirr për çështjen e publikimit të të dhënave personale në portalin e tij.

Gazetarja Hoxha lë të nënkuptohet se ata që Bushatit i duken si mafie e organizuar e gazetarisë, në fakt janë gazetarët e ndershëm që në shi, diell, me orar e pa orar braktisin çdo gjë për të kryer detyrën e raportimit nga dyert e SPAK-ut për interes të publikut.

Komenti i plotë i gazetares Anila Hoxha:

I dashur Bushat !

Vendosa të rrëfehem.

Ndaj po tregoj se si funksionon Banda e gazetarëve të SPAK me një nga krimet që TI nuk e di që ta kemi bërë ne !
NE , Banda e gazetarëve te SPAK , kur prokurorët të kërkuan të paraqiteshe NE të morëm peng dhe të pyetëm me dhunë atë ditë e në vijim.

Ti ishte thirrur nga SPAK për cështjen e të dhenave personale , dhe ne anulluam menjëherë pushimet dhe jetën luksoze prej banditësh.

Zumë si pikë strategjike deren e SPAK dhe u vendosëm aty. Ca nga një anë e ca nga ana tjetër. Nja 20 kameramanë gati për të qëlluar , u vendosën përballë . Qëndruam palëvizur jo në ajër si papagajtë por në këmbë, se na thanë ky sport është më i kërkuari

Madje , madje nuk u lodhëm asnjë cikë duke të pritur.

Kur dole , ishim këmbengulës , të rrethuam me mikrofonë dhe stë lamë te ikje.

Nga do na ikje ne jemi shumë të rrezikshëm dhe nuk na shpëtoje dot.

Dhe u dorëzove , ti fole dhe publiku degjoi shkeljet që ishin bërë nga SPAK për Lapsin dhe lirinë e medias.

Në atë kohe rezulton se banda të dhunoi me pyetje , të keqtrajtoi mbasi ishte gozhduar me orë të tëra në derë te godinës se qelqtë.

Secili kishte nje rol në atë krim të bandës , njëri hyri live, tjetri shqetesohej mbi standartin qe po ndiqte SPAK me sekuestrimin e pajisjeve te punës të gazetarëve

Secili veproi me shpejtësi precize sikur te ishte snajper, duke njoftuar ndonjë anëtar te bandës që mungonte . E urdhëruam që te paraqitej shpejt në SPAK se ” nuk mund të bënim si palaco” dhe të të linim vetëm.

Kjo bandë e rrezikshme, nga më te rrezikshmet që ka parë Shqipëria raportoi hap pas hapi dinamikën e veprimeve të prokurorisë, gjyqësorit. Në finale edhe Strasburgun në menyrë aq te organizuar saqë konkurron edhe Cosa Nostrën.

Më pas banda e la derën e SPAK . U kthye në redaksi dhe u kujdes që për gjëmën e dhunimit të medias të raportonte përtej orarit zyrtar dhe të ishte prezente edhe ne edicionet e tjera !