Nga Erion DASHO –
Në fillim të viteve ’90, të përballur me kërkesën e lartë për juristë që kishte ekonomia e tregut krahasuar me sistemin komunist, qeveria e kohës mori vendimin që profesionistë të fushave të ndryshme të trajnoheshin si juristë nëpërmjet një kursi disa mujor. Nëse kjo ishte ose jo rruga më e mirë, është vështirë të thuhet sot, por ama publiku u vuri pjestarëve të këtij grupi jo të vogël nofkën “juristë plepash” së bashku me konotacionet jo pozitive që mbart ky term.
 Sot pas më shumë se 30 vjetësh, qeveria e radhës po përballet me një problem të ngjashëm, por në fusha të tjera, ku më problematiket janë arsimi dhe shëndetësia. Kësaj here, jo për shkaqe objektive si ndryshimi i sistemit, por për shkak se është vetë qeveria që i ka zbuar nga vendi arsimtarët dhe mjekët.
Zgjidhja?! Ministrja e Arsimit sapo e dha “zgjidhjen”, shkollimi i profesionistëve të fushave të tjera për t’u shndërruar në mësues. Kjo masë sigurisht që nuk është pritur mirë nga mësuesit dhe njohësit e fushës së arsimit të cilët argumentojnë se pa studiuar me themel psikologjinë, pedagogjinë dhe teknikat e mësimdhënies, është e pamundur të bëhesh mësues.
 “Mësuesit e plepave” që po planifikon ministrja Kushi nuk është çudi të pasohen nga “mjekët e plepave”, apo “infermierët e plepave”.
Nëse qeverisë i mungon vizioni afatgjatë, politikat e zhvillimit dhe strategjitë, sigurisht që gjithçka mbetet janë zgjidhjet e plepave.
Atëherë edhe vetë qeveria duhet të pranojë të etiketohet si “Qeveria e plepave”.