Florenc Muka ishte një nga pacientët e mjekes Alketa Pere, e cila është nën hetim nga Prokuroria e Tiranës pas skandalit te Spitali Onkologjik, lidhur me skemën e dërgimit të pacientëve të sëmurë me tumor në spitalin privat “Megis”.

Muka humbi jetën në Francë në moshën 24 vjecare. E ëma, kujton me detaje përplasjet me mjeken, që disa vite pas vdekjes së djalit, e pa në ekrane të shndërrohej kryelajm.

“Kur kam parë atë doktoreshën aty që thoshte më kanë sjellë një tufë me lule apo më kanë dhënë 10 mijë lekë, unë kam një motër, motra ime vinte përditë, Cdo ditë takonte doktoreshën të xhepi i saj i futeshin 100 mijë lekë 200 mijë lekë sepse mjekja nuk vinte në katin e tretë që ta shikonte Florenc Mukën që po luftonte me jetën.

Kur vinte motra ime që e takonte i fuste lekët te xhepi, e vetëm atëherë ajo vinte lart, vetëm nga motra ime ajo ka marrë më shumë se 1 mijë euro. Të lutem doktoresha të lutem dhe ajo nuk ka mëshirë, ajo është një nënë që thoshte të hidhem nga kati i katërt, ajo të mos dalë të bëjë viktimën, jo nga kati i katërt por nga 15 katëshi asaj nuk i bën gjë më dobi se ka mbytur shumë njerëz me duar te veta”, u shpreh Bukuria, nëna e pacientit në Inside story.

Mes lotësh, kjo nënë rrëfen se djali do të ishte gjallë, nëse nuk do t’i ishte fshehur diagnoza në Gjermani, ku ka ngritur një padi. Për më tepër, mohimi i terapisë së rregullt në Shqipëri e agravoi situatën.

“Mjekët i thanë se fatale për ty ka qenë lëvizja që ti ke ikur nga Gjermania, sepse në gjermani me dy ose 3 kimio do ishe shumë mirë dhe do të shkoje 100 vjeç. Fatale për ty ka qenë edhe onkologjiku i Shqipërisë çfarë kimioterapie të kanë bërë që ty nuk të është mbytur asnjë qelizë, ti je në gjendje shumë të keqe”, u shpreh Bukurija.

Kur përshkruan momentet e qëndrimit 6 mujor në spitalin Onkologjik ajo flet për shifra të larta që iu ka paguar mjekëve, në të kundërt nuk kujdeseshin për pacientin.Ky është vetëm një denoncim, por kjo nënë që humbi djalin në moshë fare të re, na tregon se rastet janë të shumta nga çfarë ka parë atje.

“I kam bërë djalit 5 kimioterapi aty, kam parë një terr në spitalin onkologjik, kam fjetur 20 ditë vetë aty me djalin, ku dera mbyllej me një gurë pas. Ishin mbi 7 veta të sëmurë në një dhomë dhe secili kishte një shoqërues. e imagjinon çfarë tmerri. Me një paedukatë duke më thënë që e ke çuar djalin në gjermani, se janë doktorat më të mirë në Gjermani e jashtë shtetit, se keni sjellë këtu çfarë kërkon nga unë”, u shpreh Bukurija, nëna e pacientit.