Zgjedhjet katërditore për Parlamentin Evropian kanë tronditur themelet e këtij parlamenti. Partitë e djathta të vijës së ashpër u dhanë goditje partive në pushtet në Francë dhe Gjermani, forcat kryesore të BE-së. Franca reagoi ndaj rezultatit duke shpallur zgjedhje të parakohëshme kombëtare pas tre javësh. Partia e kryeministres italiane Giorgia Meloni, fitoi më shumë se 28% të votave kombëtare për organin legjislativ të BE-së, gjë që e bën atë një lojtare kyç në formimin e aleancave të ardhshme. Megjithëse partitë pro-evropiane do të vazhdojnë të kenë shumicën në Parlamentin Evropian, forcimi i partive të së djathtës së skajshme do ta bëjë më të vështirë miratimin e ligjeve. Të Gjelbrit dhe grupet liberale pro-biznesit pësuan disfata të rënda.

Padyshim në Francë, ylli i një nate zgjedhore që forcoi pozitat e së të djathtës së skajshme, ishte partia e zonjës Marine Le Pen në Francë.

Partia kundër emigracionit dhe zgjerimit të BE-së e zonjës Le Pen “Tubimi Kombëtar” ka marrë mbi 31% të votave, më shumë se dyfishi i partisë së “Rilindjes” së Presidentit Emmanuel Macron.

“Unë po shpërndaj sot Kuvendin tonë Kombëtar”, njoftoi të dielën në mbrëmje Presidenti francez duke shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të reja në fund të këtij muaji.

“Ne e kemi parë që partitë e së djathtës së skajshme në Francë do t’ia dalin shumë mirë. Por ajo që ishte e befasishme, ishte reagimi i Macronit për të shpallur zgjedhje të parakohshme”, thotë Sophie Russack, analiste në Qendren për Studime të Politikave Evropiane, me seli në Bruksel.

Vendimi i presidentit francez vlerësohet si një bast i madh politik pasi partia e tij mund të pësojë më shumë humbje, duke vështirësuar pjesën tjetër të mandatit të tij presidencial, që përfundon në vitin 2027.

“Unë nuk e kuptoj këtë lëvizje politike. Franca ka institucione të forta, ai duhet t’u kishte besuar atyre. Nga fillimi deri në fund, mandatet e tij pesëvjeçare janë shqetësuese për shoqërinë franceze”, thotë Cyril Jeancler, banor i Parisit.

“Ka shumë kriza, sociale, mjedisore dhe këto vota reflektojnë njëfarë trazire sociale. Megjithatë mendoj se zgjedhjet e parakohëshme do të shënojnë një fillim të ri dhe besoj që francezët do të gjejnë një zgjidhje për vitet në vijim”, thotë banori tjetër i Parisit, Nicolas Desurmont.

Partitë e të djathtës së skajshme siguruan rritje të mëdha në Parlamentin Evropian. Megjithatë, “Partia Popullore e Evropës”, e qendrës së djathtë, sërish u konfirmua si grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, me 181 vende. Menjëherë më pas në vendin e dytë është grupi i partive social-demokrate ‘S dhe D’.

“Qendra mbeti e para. Por është gjithashtu e vërtetë se ekstremet në të majtë dhe në të djathtë kanë fituar mbështetje, dhe kjo është arsyeja pse rezultati vjen me përgjegjësi të madhe për partitë në qendër”, tha pas rezultateve Ursula von der Leyen, kandidatja kryesore e qendres për një mandat të dytë në krye të Komisionit Evropian.

“Grupet e të djathtës së skajshme kanë fituar shumë. Megjithatë në Parlament u duhen 50% për të marrë vendime. Pra ata nuk do të vendosin, por ajo që ata mund të bëjnë është të ndryshojnë diskutimet dhe ngadalë të normalizojnë mendimet dhe qëndrimet e tyre të ekstremit të djathtë”, thotë analistja Sophie Russack, e Qendrës për Studime të Politikave Evropiane me seli në Bruksel.

Një nga mënyrat e ndikimit mund të shfaqet qysh në fillim kur qendra të bëjë përpjekje të zgjedhë udhëheqësit kryesor të BE-së. Atyre mund t’u duhen votat e partive më në të djathtë si ajo e Kryeministres italiane Giorgia Meloni. Në Itali, partia ‘Vëllezërit e Italisë’ të Kryeministres Meloni doli e para me 28 % të votave.

Matteo Villa, analist në Institutin Ndërkombëtar të Politikës (ISPI), thotë se rezultatet e Italisë kanë dy kuptime: e para ato janë një “shfaqje mbështetjeje dhe fuqie” për qeverinë aktuale. Kuptimi i dytë, sipas analistit Villa, është:

“Konfirmimi i rolit të Kryeministres Meloni si një urë lidhëse e mundshme midis qendrës së djathtë dhe të djathtës së skajshme”.

Në Gjermani, vendi me numrin më të madh të popullsisë në BE, rezultatet sqarohen më së miri me titujt e gazetave gjermane: “Një shuplakë për kancelarin”. Të tri partitë e qeverisë së Kancelarit Olaf Scholz humbën duke dalë pas Unionit Kristian Demokrat të opozitës dhe AfD-së të së djathtës së skajshme.

“Prirja në Gjermani momentalisht është kundër qeverisë. Pra, me të vërtetë nuk ishte befasuese. Por niveli në të cilin ata kanë rënë është mjaft tronditës për një koalicion qeverisës”, thotë Andresa Römmele, profesore në Universitetin gjerman në Berlin, ‘Shkolla Hertie’.

Një situatë më ndryshe u shfaq në Evropën Qendrore dhe Lindore. Partitë pro-evropiane të qendres dolin në përgjithësi më mirë gjatë zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të dielën.

Në Hungari, partia e Kryeministrit Victor Orban e të djathtës së skajshme fitoi, por një parti e re, Magyar’s Tisza siguroi 31% të votave.

Kjo parti hyri në politikën hungareze në fillim të këtij viti, duke premtuar se do të çrrënjoste korrupsionin dhe do të rigjallëronte kontrollet dhe balancat demokratike të cilat kritikët thonë se janë shkatërruar nën zotin Orban.

Opozita sllovake ‘Sllovakia Progresive’ një parti liberale, pro-perëndimore, mundi ‘SMER-SD’ në pushtet, partinë nacionaliste dhe pro-ruse të Kryeministrit Robert Fico, duke treguar se përpjekja për vrasje e muajit të kaluar kundër tij nuk çoi në rritje te partisë ne pushtet.