Nga Enver Robelli

Shqipëria!

Muri i Schengenit për shtetasit e Kosovës ka rënë, rrugët janë të hapura për të udhëtuar gjithandej – nga Portugalia në Atlantik deri në Finlandë.

Një shoqatë e bizneseve të Kosovës vlerëson se çdo fundjavë kosovarët harxhojnë një milion euro në Greqi. Është e drejtë e secilit të bëjë pushimet kudo ku dëshiron.

Por nga këndvështrimi kosovar, Shqipëria është dhe do të jetë destinacioni më i papërsëritshëm. Jo vetëm pse flitet shqip, jo vetëm pse ndihemi si në shtëpinë tonë, jo vetëm pse në çdo cep gjejmë diçka me të cilën mund të vetëidentifikohemi.

Sa i përket çmimeve: kush ka pritur se deri në vitin 2100 çmimi i kafesë në bregdetin shqiptar do të jetë 50 centë, levreku 3 euro dhe një birrë 80 centë, le ta provojë gjetiu në Mesdhe. Ndoshta ka fat.

Mund ta provoni fatin edhe në kazermat e turistëve (all inclusive) në Greqi apo Turqi, ku sallatat hidhen si në grazhd, vera sillet me cisternë dhe mishi mund të jetë po aq cilësor sa një dërrasë e bankës së parkut të lagjes.

Ekziston rreziku që një ditë edhe Shqipëria të bëhet e tillë, nëse politikanët e saj vazhdojnë të shohin ëndrra për 20 milionë turistë brenda një sezoni. Të shpresojmë se ajo ditë nuk do të vijë kurrë.

Dhe njerëzit do të vazhdojnë të shijojnë peshkun, domatet e fikun të freskët. Kjo është ende e mundur në Shqipëri, me fshatrat e saj, me qytetet e saj, me bregdetin e saj kryesisht ende të ruajtur – ndonëse nën rrezik permanent nga politikanët që resurset e Shqipërisë i shohin si prona që duhet shitur ashtu siç i djeg pijaneci eurot e fundit para se të mbyllet kazinoja.