Urmat ka nënshkruar një kontratë pune për një kompani ruse, që do t’i paguajë atij rreth 120 dollarë në ditë për të mbledhur trupat e ushtarëve të vrarë rusë në vijat e frontit në Ukrainë.
Ky punëtor migrant nga Kirgizia, që nuk deshi t’i publikohej mbiemri, tha se ishte i vetëdijshëm me rreziqet që përfshin kjo punë dhe se ai e ka diskutuar këtë çështje me migrantët e tjerë kirgizë që punojnë në zonat e luftës në Ukrainë.
“Ata më treguan se nganjëherë janë cak i sulmeve dhe se ka edhe të vrarë”, tha Urmat për Shërbimin Kirgiz të Radios Evropa e Lirë. “Personat e bëjnë këtë lloj pune për shkak të situatës së tyre të dëshpëruar, disa kanë borxhe”.
Qindra migrantë nga Azia Qendrore janë punësuar nga kompanitë ruse për të punuar në territoret ukrainase, të pushtuara nga Rusia, pavarësisht paralajmërimeve nga qeveritë e tyre që të mos shkojnë në Ukrainë. Kievi po ashtu ka deklaruar se këta punëtorë do të shihen si bashkëpunëtorë të pushtuesve rusë.
Disa gra migrante nga Azia Qendrore kanë thënë se atyre u është ofruar punë në spitalet ushtarake, mensa dhe fabrika në pjesët e pushtuara në lindje të Ukrainës.
Paratë janë motivi kryesor për migrantët.
Për shembull, vende pune në ndërtim në territoret ukrainase të kontrolluara nga Rusia po ofrohen me rroga që sillen nga 2.000 deri në 3.300 dollarë në muaj, vlerë që është shumë më e lartë sesa fitojnë punëtorët në Rusi.
Përderisa rrogat e punëtorëve migrantë dallojnë shumë në rajone të ndryshme ruse, disa prej tyre i thanë REL-it më 7 mars se fitojnë nga 600 deri në 1.200 dollarë në muaj.