Universitetit Bujqësor i Tiranës në partneritet me Universitetin BOKU të Vjenës kanë lidhur një marrëveshje bashkëpunimi 4-vjeçar, ndërsa i pranishëm në ceremoni ishte dhe kryeministri Edi Rama.
Në fjalën e tij, Rama mes batutash përshëndeti këtë marrëveshje e cila i hap udhë modernizimit të UBT-së si dhe i jep mundësinë edhe studentëve ndërkombëtarë të vijnë të studiojnë në UBT me të njëjtat kushte si në Boku të Vjenës, gjë e cila vlen edhe për studentët shqiptarë të cilët tashmë do gjejnë standarte europiane.
Rama në fjalën e tij e nisi me batuta me rektorin e UBT-së që sipas tij tashmë është një demokrat i rilindur
”Rektori tha që nuk më pëlqejnë lëvdatat. Është e vërtetë por kur vijnë nga një demokrat i rilindur janë të mirëseardhura. Dhe sidomos në këtë moment që është historik për universitetin tuaj.
Kur të marrit me politikë që ka gjithë ato siklete, të bën të mendosh ç’mu desh kjo punë, të jep një sadisfaksion aq të jashtëzakonshëm saqë të gjithë të tjerat i bën hallall. Është e vërtetë ajo që tha rektori, që para 3 vitesh kishit një situatë jo të lehtë me rekrutimet e studentëve dhe rektori erdhi me një propozim që ishte i juaji i përbashkët, për ministrinë e Arsimit dhe Bujqësisë.
Kur kërkoi mbështetje për të ulur mesataren e hyrjes në UBT. Dhe unë isha absolutisht kundër sepse nuk më bënte sens që studentët po kërkonin më pak interes mesatarja të ulej poshtë në mënyrë që këtu të vinin nxënës që duhej të hynin në kurse e shkrimit dhe këndimit. Ne duhet të synojmë ta bëjmë UBT atraktiv jo vetëm për studentët shqiptarë por edhe të rajonit”, u shpreh Rama.
Kryeministri thekson investimet e shumta që janë bërë nga qeveria për UBT-në, për ta shndërruar atë në një qendër ekselence.
”Duke u bashkuar me një universitet ekselence në Europë që UBT, ti je në Tiranë por merr gjithçka që do merrje po të shkoje në Vjenë. Natyrisht rektori nuk kishte si të më besonte se nuk ja lejonte edhe partia por ne u bëmë bashkë, ju e dini që është një proces i nisur më parë.
Kur erdha dhe mezi gjeta rrugën për të shkuar te zyrat e rektorit, ishte tmerr. Dukej sikur universiteti ishte futur për të pushtuar atë që ishte krijuar rreth tij. duke marrë në sy rrezikun që kjo tani do i kthehet në stres për Ogertën se do vijnë rektor të universiteteve të tjera, po iu referohem shifrave të rektorit.
Janë rreth 16 milion euro të dhëna drejtëpërdrejtë UBT-së pa llogaritur konviktet e rindërtuara. Ky nuk është një program i qeverisë për të mbajtur me hatër një rektor demokrat. Është një program i qeverisë për ta shndërruar këtë Universitet në një qendër ekselence, për një rrezatim në treg dhe me influencë rajonale”, shtoi Rama.