Është gjetur trupi i pajetë i 39-vjeçares, Alma Arrazi, e cila u hodh në ujërat e lumit Buna së bashkë me tre fëmijët e mitur. Gjetja e trupit të nënës, ka përmbyllur operacionet e kërkimit për gjetjen e katër trupave të kësaj ngjarjeje në Shkodër.
“Fëmijët pritet që të varrosen në Shkodër, pra në qytetin e tyre të lindjes. Ndërkohë që ka një problematikë sa i përket trupit të së ndjerës, pasi babai i saj ka deklaruar që nuk do lejojë që vajza e tij e ndjerë të varroset në Shkodër, por dëshiron ta marrë në Durrës pranë familjes së saj. Ai e konsideron si një tradhti faktin e kësaj ngjarje, duke lënë fajtor familjen e Erdgystit dhe njerëzve të tij përreth. Shpresojmë që s’do të ketë ndonjë konflikt ndërmjet fiseve lidhur me diçka të tillë, sepse vëllai i Erdgystit ka bërë me dije se kanë blerë 4 arkivole për secilin nga anëtarët e familjes”, deklaroi Harlicaj.
Ngjarja në Shkodër që ka sjellë mbytjen e nënës me 3 fëmijët e saj, dyshohet se ka pasur si shkak dhunën që babai ushtronte mbi familjen e tij. Për rastin e rëndë, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 31-vjeçarin Erdgys Arrazi për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim të vetëvrasjes së tyre si pasojë e dhunës.