Nga Michael Hauskeller
Ka shumë gjëra që nuk ka më nevojë t’i bëjmë vetë. Tani për ne i bëjnë makinat. Sigurisht që sot ka ende shumë gjëra për t’u bërë nga ne njerëzit. Por nëse vazhdon kjo tendencë dhe makineritë që ndërtojmë po bëhen gjithnjë e më inteligjente, të sofistikuara dhe të fuqishme, atëherë ekziston një mundësi reale që ne të jemi më pak të nevojshëm për të bërë ndonjë punë.
Më pas puna e automatizuar e kryer nga makineritë, do të zëvendësojë përfundimisht të gjithë ose shumicën e punëve që kryheshin dje dhe ende sot nga ne. Nëse dhe kur kjo të ndodhë kjo gjë, atëherë do të kemi arritur një epokë të papunësisë teknologjike. Por a do të ishte diçka e mirë? A duhet ta mirëpresim këtë perspektivë apo duhet ta kemi frikë?
Në pamje të parë, papunësia teknologjike është një perspektivë joshëse. Sepse praktikisht do të thoshte që nuk do të duhej të punojmë më për të fituar jetesën. Do të kishim gjithçka që na nevojitet dhe e duam, pa pasur nevojë të shpenzojmë kohë për aktivitete që nuk duam t’i bëjmë vërtet, sepse për gjithçka do të kujdeseshin makineritë.
Sepse aktualisht shumë njerëz janë të pakënaqur me llojin e punës që bëjnë. Edhe nëse jemi me fat që të bëjmë diçka për jetesën që na pëlqen, dhe do ta bënim atë edhe nëse nuk do paguheshim, zhdukja e nevojës për të punuar dhe për të shitur punën dhe aftësitë tona, është me siguri një gjë e mirë.
Sepse do të ishim plotësisht të lirë të zgjedhim çfarë të bëjmë dhe çfarë jo. Por nga ana tjetër është argumentuar me të drejtë se nëse nuk jemi të kujdesshëm, papunësia teknologjike nëshkallë të lartë, mund të dëmtojë aftësinë tonë për të pasur një jetë kuptimplotë.
Dhe për ta parandaluar këtë duhet të zhvillojmë llojin e duhur të teknologjisë, dhe të lidhemi me të në mënyrën e duhur. Këtu problemi është se në një epokë të papunësisë teknologjike,makineritë do të na kenë zënë vendin dhe zëvendësuar si prodhues të vlerës. Më pas ato do të krijojnë të gjitha gjërat e mira, dhe do ta bëjnë botën një vend më të mirë, ndërsa ne do të jemi thjesht vëzhgues dhe përfitues pasivë.
Prandaj, në rast se duam të parandalojmë humbjen e kuptimit të jetës, ajo që duhet të bëjmë është të shmangim delegimin e punës dhe në vend të kësaj të ndjekim integrimin më të madh,gjë që do të thotë se në vend se ta përdorim teknologjinë, duhet ta integrojmë drejtpërdrejt atënë trupin tonë.
Megjithatë, mua më duket se rritja e papunësisë teknologjike nuk do të ishte domosdoshmërisht një problem edhe nëse nuk bëhemi sajborgë. Arsyeja pse papunësia është shpesh kaq shkatërruese për ata që e përjetojnë, është se ajo vjen zakonisht me një humbje të një të ardhure të mirë, humbje të lidhjeve shoqërore, dhe pasjen e një bollëku kohe të lirë me të cilën ata nuk janë mësuar (ose tani duke qenë të papunë nuk kanë mjete për ta shfrytëzuar si duhet) që ta përdorin sa më mirë.
Nëse keni pak mjete për të jetuar, njerëzit ju shohin me keqardhje ose përbuzje, dhe nuk keni asnjë idenë se si t’i mbushni orët e gjata të ditës, ndaj mund të justifikoheni për humbjen e motivit për të jetuar. Megjithatë papunësia teknologjike është e ndryshme:supozohet se nuk do të pësojmë humbje të të ardhurave apo humbje të njohjeve sociale (tek e fundit, të gjithë do të jemi në të njëjtën situatë).
Ne thjesht nuk do të kemi nevojë të punojmë. Pa dyshim, mund të zbulojmë se kemi shumë kohë në dispozicion, por kjo është kryesisht një çështje e zhvillimit të mendësisë së duhur. Nuk ka asnjë provë që në epokën tonë të papunësisë para-teknologjike, ata që i përkasin të ashtuquajturës klasë që ka shumë kohë së lirë, e shohin jetën e tyre si më pak kuptimplote sesa ata që në fakt duhet të punojnë për të siguruar jetesën.
Nëse jeni i pasur, nuk ka gjasa të kërkoni dëshpërimisht një punë, vetëm për të pasur diçka për të bërë. Nëse nuk ju është dashur të punoni ndonjëherë, atëherë nuk do t’iu mungojëpuna. Do të dini se çfarë të bëni me kohën tuaj, dhe nuk do të ndjeni atë që shpesh ndjejnë ata që kanë humbur punën:humbjen e ndjenjës së qëllimit në jetë.
Ju mund të mos jetoni një jetë veçanërisht kuptimplotë (nëse me kuptim kuptohet kërkimi i një lloj lidhjeje dhe ndjekje aktive e asaj që është në të vërtetë e vlefshme në jetë), por ata që janë në punë mund të mos e bëjnë këtë. Çështja është se të pasurit nuk duket se kanë më shumë gjasa të bëjnë një jetë të pakuptimtë se sa cilido tjetër.
Ose mendoni për pensionin. Njerëzit dalin në pension nga puna. Disa e presin me padurim, të tjerët e kanë frikë, por shumica gjejnë një mënyrë për t’u përballur me atë fazë të jetës. Sigurisht, mund të duhet pak kohë për t’u mësuar me ndryshimin, sidomos nëse nuk keni njohur kurrë një jetë pa punë.
Meqenëse e gjithë jeta jonë organizohet zakonisht rreth punës, ne priremi ta përcaktojmë veten përmes saj. Kur dalim në pension, duhet të mësojmë të përcaktojmë veten ndryshe, dhe të zhvillojmë një mentalitet ndryshe. Ndoshta nuk është e lehtë, por jo e pamundur. Nëse ose kur të na prekë epoka e papunësisë teknologjike, do të duket sikur i gjithë njerëzimi në tërësi do të dalë në pension.
Por kjo nuk do të ndodhë brenda natës. Me shumë mundësi, ne do të ecim gradualisht drejt saj, ndaj do të mësojmë të jetojmë me rrethanat që ndryshojnë. Por a do të na mbetej diçka për të bërë? Në një epokë të papunësisë teknologjike, makineritë mund të përfundojnë duke bërë të gjitha gjërat interesante, gjithçka që mund të gjenerojë kuptim për dikë, pra ai që i bën ato, ndërsa ne njerëzit do të reduktoheshim në spektatorë të thjeshtë.
Kush e di, edhe ky artikull mund të shkruhet nesër nga një makineri. Megjithatë, kuptimi nuk është prerogativë e agjentëve. Edhe vetëm duke vëzhguar dhe përjetuar botën dhe atë që po ndodh në të, mund të jetë shumë shpërblyese. Ne mund të gjejmë kuptim në leximin e librave të njerëzve të tjerë, studimin e pikturave të njerëzve të tjerë dhe dëgjimin e muzikës së njerëzve të tjerë.
Mund të gjejmë kuptim duke u endur nëpër një peizazh që nuk e kemi projektuar, dhe duke notuar në një det që nuk e kemi krijuar. Atëherë pse nuk duhet të jemi në gjendje të gjejmë kuptim në arritjet e makinerive që kemi ndërtuar? Me mentalitetin e duhur, nuk është i nevojshëm integrimi njeri-makinë. Më e mirë do të jetë ndarja e vazhdueshme midis tyre.
Shënim: Michael Hauskeller, profesor i filozofisë dhe Shef i Departamentit të Filozofisë në Universitetin e Liverpulit, Angli. / “Daily Philosophy” – Bota.al