David Kostelançik i ripropozuar nga presidenti amerikan, Xho Bajden në postin e ambasadorit të SHBA-ve në Shqipëri pritet të dalë më 16 prill përpara Komitetit të Jashtëm të Senatit.
Kjo është hera e dytë që Kostelançik do të dalë përpara këtij komiteti si i propozuar për postin e ambasadorit në vendin tonë.
Më herët, ai kishte kaluar degjesën përpara këtij Komiteti, por votimi në Senatin amerikan së bashku me 40 diplomatë të tjerë të propozuar për shkak të tejkalimit te afateve procedurale nuk u realizua.
Kostelançik pritet të rikonfirmohet nga Komiteti, për t’u paraqitur per votim më pas nga Senati. Një diplomat karriere, Kostelançik ka shërbyer dikur në Shqipëri gjate viteve 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike.
Nëse kandidatura e tij miratohet nga Senati, diplomati Kostelançik do të zëvendësojë Yuri Kim, e cila u largua nga vendi ynë më 25 qershor të vitit 2023, duke marrë një post të rëndësishëm në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ambasada e SHBA-së drejtohet aktualisht nga i ngarkuari me punë, David Uizner.