Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike zyrtare, Enkelejd Alibeaj ka dalë në një konferencë për mediat ku komentoi marrëveshjes e arritur sot mes mazhorancës dhe opozitës së bashkuar për ngritjen e komisioneve.
Alibeaj shprehet se sot u vërtetua se retorika për revolucion dhe përmbysje ka qenë një gënjeshtër,
Ai shtoi se tanimë është e qartë se marrëveshja nuk ka qenë për të mbajtur në kontroll qeverinë dhe Edi Ramën, por që së bashku me Ramën të mbajnë monopolin e sistemit politik dhe marrëveshjen Rama-Berisha të vitit 2008.
Sipas tij, ashtu siç kishin paralajmëruar, kjo marrëveshje e sotme, më së pari, ka si qëllim të godasë Reformën Zedhore, sepse as Edi Rama, as Sali Berisha nuk duan listat e hapura, barazinë e votës, Shqipërinë një zonë zgjedhore, votën e diasporës dhe heqjen e herësit zgjedhor.
Deklarata e Alibeajt
Tashmë që ra sipari i negociatave të fshehta dhe që publiku i njoh, mund të thuhet me gojën plotë se, asgjë e re nga fronti i pazareve të vjetra!
Sot u vërtetua se retorika për revolucion dhe përmbysje ka qenë një gënjeshtër e stisur keq që, herët a vonë, do të dilte në dritë.
E gjithë nëpëkëmbja e demokratëve për muaj me radhë nuk ka pasur asgjë në interes të tyre dhe të familjeve të tyre, por gjithçka ka qenë në interesin e një grupi të vogël njerëzish që luftojnë për të mbajtur fort njëri-tjetrin në lojë, sepse rënia e njërit i hap rrugë automatikisht dhe rënies së tjetrit.
Tashmë është e qartë se marrëveshja nuk ka qenë për të mbajtur në kontroll qeverinë dhe Edi Ramën, por ka qenë që së bashku me Edi Ramën të mbajnë monopolin e sistemit politik, marrëveshjen Rama-Berisha të vitit 2008, ai në pushtet dhe ata në një opozitë gjithmonë dhe më të paktë. Gjithashtu, të godasë SPAK-un, nëpërmjet kontrollit të sistemit të drejtësisë.
Ashtu siç e kishim paralajmëruar, kjo marrëveshje e sotme, më së pari, ka si qëllim të godasë Reformën Zedhore, sepse as Edi Rama as Sali Berisha nuk duan një sistem që t’ua heq atyre monopolin e listave dhe t’ua japë qytetarëve të drejtën e zgjedhjes.
Asnjë prej aktorëve të politikës së vjetër nuk e duan Shqipërinë një Zonë Zgjedhore, sepse vetëm duke e fragmentarizuar e kontrollojnë dhe e manipulojnë më lehtë.
Asnjë prej tyre nuk e do barazinë e votës së çdo shqiptari, sepse e kanë ndarë Shqipërinë në domenë, ku secili e quan pronë të tijën pjesë të caktuara të saj.
Asnjë prej politikanëve që duhet t’i përkisnin së shkuarës, nuk e duan heqjen e hersit zgjedhor, sepse e gjithë lufta këto kohë është bërë me premtimin për të qenë në vende të sigurta në listat e vitit të ardhshëm.
Edi Rama dhe Sali Berisha janë kundërshtarët më të mëdhenj të votës së diasporës, sepse herë njëri dhe herë tjetri, janë shkaktarët kryesorë të emigrimit të shqiptarëve, ndaj ata do të bëjnë gjithçka për të mos e realizuar një gjë të tillë.
Ndaj jam sot këtu për të denoncuar këtë pazar në kuriz të njerëzve dhe për interesa të ngushta vetjake
Shqiptarëve ju duhet një reformë zgjedhore që i jep fuqi votës se tyre, dhe mundësi për të vendosur ata kush do ti përfaqësojë në kuvend e qeverisje. Ky ka qenë, është dhe do të jetë qëllimi i Partisë Demokratike.