Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u arrit një dakordësi mes mazhorancës dhe opozitës së bashkuar për lejimin e ngritjeve të Komisioneve Hetimore.
Pas këtij njoftimi ka reaguar edhe Ambasada e SHBA në Tirana e cila shprehet se është inkurajuar nga njoftim për rikthimin e rendit normal në Parlament.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është e inkurajuar nga njoftimi për rikthimin e rendit normal në Parlament.
Institucionet funksionale janë thelbësore për çdo demokraci të shëndetshme dhe anëtarët e zgjedhur duhet të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në mirëbesim brenda Parlamentit”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane.
Për marrëveshjen ka reaguar dhe delegacioni i BE-së në Tiranë.
“Mirëpresim lajmin për rikthimin e normalitetit në Parlament.
Siç kemi thënë dhe më parë, një parlament që funksionon mirë është thelbësor për të lehtësuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, i cili është objektivi strategjik i vendit, i mbështetur nga shumica dërrmuese e shqiptarëve”, thuhet në reagim.