Me nxitjen dhe vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, javën që vjen do të ketë takime të përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës në funksion të negociatave për t‘i dhënë fund krizës parlamentare 5 mujore.

Burime pranë RTSH-së thanë se në fillim të javës pritet të takohen Kryetari i grupit parlamentar socialist Bledi Çuçi dhe ai demokrat Gazment Bardhi, për të përcaktuar detajet.

Burimet i thanë RTSH-së se javët e fundit ka patur biseda intensive për gjetjen e një emëruesit të përbashkët mes palëve, ndërsa në këtë drejtim është investuar edhe Kryeparlamentarja Lindita Nikolla, e cila është takuar me drejtuesit e grupeve parlamentare, ku krahas Bardhit dhe Çuçit pjesë kanë qenë edhe Dashamir Shehi dhe Mesila Doda.

Deputetët opozitarë mbështetës së ish-kryeministrit Sali Berisha kanë vendosur si kusht për t‘u tërhequr nga aktet e mosbindjes civile në Kuvend, miratimin e kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore sikundër ndryshimin e antarësisë së Komisionit parlamentar të reformës zgjedhore dhe të bashkëkryesimit të opozitës, ku në vend të Enkelejd Alibeajt kërkojnë të përfaqësohen me deputetin Oerd Bylykbashi.