Socialistët do të mbledhin paraditen e të dielës Asamblenë Kombëtare. Arsyeja e thirrjes së këtij forumi drejtues nga kryesocialisti Edi Rama në ftesën që ju është shpërndarë anëtarëve, lidhet me raportimin për përmbushjen e detyrave që iu është lënë në Kongresin e 8 Dhjetorit për të shtuar radhët e çdo organizate socialiste.
Rama ka vendosur që mbledhja të bëhet krejtësisht e mbyllur dhe pa praninë e kamerave edhe në pjesën kur mban fjalimin vetë ai.
Një nga detyrat që ka Asambleja është dhe organizimi i zgjedhjeve në parti brenda Marsit nga të cilat do të dalin emrat e kryetarëve të rinj të partisë në çdo bashki, por do të votohet dhe për delegatët e Kongresit.
Socialistët de facto e kanë nisur riorganizmin për zgjedhjet e 2025 që në Shtator. Drejtuesit politik të qarqeve aktualisht janë të njëjtët, por janë ndarë zonat e patronazhimit dhe për çdo anëtar të Kryesisë, Asamblesë dhe Kongresit. Një traditë e konsoliduar kjo për mënyrën se si organizohet në vite zgjedhore Partia Socialiste.
Asambleja e të dielës i paraprin Kongresit Zgjedhor të Pranverës ku do të votohet dhe për anëtarët e rinj të Asamblesë, të cilët pas konstituimit kanë detyrën të zgjedhin Kryesinë e re mes emrave të propozuar nga kryesocialisti.