Ministri i Financave, Ervin Mete, priti në një takim zyrtar ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në Tiranë, Reinout Vos, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve dhe mundësitë për zgjerimin e investimeve holandeze në Shqipëri.

Ministri Mete shprehu vlerësimin për mbështetjen e dhënë nga qeveria holandeze në kuadër të reformave në një sërë sektorësh dhe sa i përket procesit të integrimit, përmes asistencës, financimeve dhe programeve të ndryshme.

Ministri pohoi faktin se bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar mes Shqipërisë dhe Holandës është rritur në vitet e fundit dhe shprehu angazhimin për thellim të mëtejshëm, ndërsa theksoi mundësitë që ofron vendi ynë në sektorë si agrikultura, turizmi, infrastruktura dhe energjia.

Nga ana e tij, ambasadori Vos shprehu interesin e qeverisë holandeze për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve dhe për rritjen e prezencës së kompanive holandeze në Shqipëri.

Stoku i investimeve holandeze në Shqipëri është rritur përgjatë periudhës 2018-2023, duke arritur vlerën maksimale 2 miliardë euro në shtator 2023. Sipas të dhënave, aktualisht në vendin tonë operojnë 85 kompani holandeze, 66 prej të cilave me kapital 100% holandez, ndërsa volumi tregtar për vitin 2023 shënoi vlerën 113.3 milionë Euro.