“Fondacioni i ndihmës dhe bamirësisë” (Charities Aid Foundation), ka publikuar së fundmi të dhënat e një studimi të kryer në vitin 2023 përsa i përket indeksit të bujarisë. Ky indeks ka si qëllim të sigurojë të dhëna rreth natyrës së të dhuruarit ose bujarisë dhe studimi është shpërndarë në 142 vende të botës. Të dhënat janë të mbledhura dhe përpunuara nga “Gallup”, kompania e njohur për sondazhet e saj të opinionit publik të kryera në mbarë botën, dhe përfshijnë sondazhe të zhvilluara në 119 vende të botës.

‘Scan Intel’ ka analizuar këto të dhëna për të kuptuar sesi pozicionohen shqiptarët, për të cilët bujaria dhe mikpritja janë konsideruar gjithmonë si cilësi identifikuese. Por, shifrat “rrëzojnë” këtë mit pasi e rendisin Shqipërinë në vendin e fundit në Europë dhe në vendin e 123-të në botë sa i përket dëshirës për të dhuruar apo ndihmuar të tjerët. Rikujtojmë se një vit më parë shqiptarët renditeshin në vendin e 96-të përsa i përket dhënies apo dhurimit të parave.

Vlerësimi i bujarisë për secilin shtet është bazuar në disa pyetje të cilat lidhen me ndihmën ndaj një të panjohuri, dhurimin e vlerave monetare dhe punën vullnetare, pra sa të gatshëm janë qytetarët të dhurojnë kontributin dhe kohën e tyre në dobi të realizimit të kauzave të caktuara sociale.

Përsa i përket pikëzimit Shqipëria ka arritur të grumbullojë 28 pikë në total, ku specifikisht 52% e të anketuarve kanë ndihmuar një të panjohur, 25% kanë dhuruar mjete monetare dhe vetëm 8% e tyre janë angazhuar në kryerjen e një pune vullnetare. Vlerësimi që lidhet me punën vullnetare është dhe vlerësimi më i dobët që e rendisin vendin tonë në 5 vendet me kontributin më të ulët në mbrojtjen e çështjeve sociale.

Krahasimisht me rajonin Shqipëria mbetet në të njëjtat “ujëra”, pasi pozicionohet në vendin e parafundit duke lënë pas vetëm Malin e Zi. Konkretisht Bosnje Hercegovina renditet në vendin e parë me 38 pikë dhe ndiqet nga Maqedonia e Veriut me 32 pikë, Serbia me 29 pikë, Shqipëria me 28 pikë dhe Mali i Zi me 27 pikë.

Ndërkohë, sa i përket shtetit më bujar në botë, në vendin e parë për të gjashtin vit rradhazi renditet Indonezia. Indonezia ndiqet më pas nga vende të tilla si Ukraina, Kenia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj. Nga ana tjetër, vendet më pak bujare sipas kësaj renditje rezultojnë Polonia, Kroacia dhe Afganistani.