Apeli i GJKKO ka shpallur vendimin për Ardjan Çapjan dhe 5 të pandehurit e tjerë. Ata u shpallën fajtorë për vrasjen e babë e bir Nezir dhe Gentian Beqiri në 15 gusht të 2012-ës.
Togat e zeza të Apelit të Posaçëm kanë lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë duke dënuar me burgim të përjetshëm Ardjan Çapjan, Florenc Çapjan dhe Olsi Lekun. Ndërsa nga 25 vite burg togat e zeza vendosën për Etjen Canin dhe Klajdi Dokolin. Bashkëpuntori i drejtësisë Ervis Bardhi u dënua me 15 vite burg.
Zbardhja e ngjarjes erdhi pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Ervis Bardhi, i cili rrëfeu se Ardian Çapja i kishte ofruar 50 mijë euro për vrasjen e Gentian Beqirit dhe babait të tij Nezirit.
I penduari rrëfeu se Gentianin e ka ekzekutuar ai me 4 plumba ndërsa Nezirin e ka vrarë Olsi Leku. Për këtë ngjarje Ardian dhe Florenc Çapja paraqitën si alibi se një natë para vrasjes kishin qenë në Maqedoninë e Veriut.
Dyshohet se vrasja e Gentian Beqirit u porosit për shkak se ai po gjykohej për vrasjen e Sokol Çapjas në vitin 2005.
Akuzat e SPAK dhe dëshmia e të penduarit janë kundërshtuar gjatë procesit nga Ardian Çapja i cili ka deklaruar se është telefonuar nga një politikan me emrin taulant, por këto përgjime sipas tij janë asgjesuar me vendim gjykate.