Marrëveshja që lejon Italinë të ngrejë qendra pritëse në Shqipëri për mijëra emigrantë që vijnë përmes detit, nuk shkel ligjin e Bashkimit Europian që zbatohet në këtë rast, tha sot zyrtarja më e lartë e BE-së për migracionin, Ylva Johansson.
Marrëveshja, e cila u njoftua javën e kaluar, është shoqëruar me kritika nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ka nxitur krahasime me planet e qeverisë britanike për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë, plan të cilin Gjykata e Lartë e Britanisë e shpalli të paligjshëm.
“Sipas një vlerësimi paraprak të ekipit tonë ligjor, marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë nuk shkel ligjin e Bashkimit Europian, nuk është jashtë kuadrit ligjor të BE-së”, tha Komisionerja për Migracionin në Bashkimin Europian, Johansson, në një konferencë për shtypin, në Bruksel.
Deklaratat e saj lanë të kuptohet se marrëveshja nuk mund të ankimohet në Gjykatën Europiane të Drejtësisë.
Italia planifikon të ngrejë dy qendra pritëse në Shqipëri, pranverën e ardhshme, një për verifikimin e të dhënave të emigrantëve dhe tjetra për t’i strehuar ndërsa shqyrtohen kërkesat e tyre për azil në Itali.
Qendrat do të veprojnë sipas juridiksionit italian, me personel italian, por në territor shqiptar.
Mbetet e paqartë se si do të zbatohet marrëveshja, pasi kjo është e para e këtij lloji.
Komisionerja Johansson tha se “ligji i Bashkimit Evropian nuk është i zbatueshëm jashtë territorit të Bashkimit Europian, por ligji italian po”, por pa qartësuar se si përputhet kjo me detyrimet e Italisë si një vend anëtar i Bashkimit Evropian.