Inteligjenca artificiale mund të shpëtojë jetë duke paralajmëruar se ku një uragan do të godasë tokën shumë më shpejt sesa sistemet tradicionale të parashikimit. Sipas studiuesve një mjet i ri i Inteligjencës Artificiale nga Google DeepMind parashikoi se ku uragani Lee i shtatorit do të zbriste në Kanada tri ditë përpara metodave ekzistuese.
Parashikimet e motit janë bërë shumë më të sakta gjatë dekadave, por shpejtësia dhe aftësia e IA për të analizuar ngjarjet e kaluara për të bërë parashikime e bëjnë atë të ndryshojë rregullat e lojës, thonë shkencëtarët.
Një parashikim i saktë i motit është i dobishëm për t’ju treguar se çfarë të vishni kur dilni në mëngjes, por më e rëndësishme është që mund të na paralajmërojë për motin ekstrem si stuhitë, përmbytjet dhe valët e të nxehtit, duke u dhënë komuniteteve kohë vendimtare për t’u përgatitur.
Megjithatë, parashikimet tradicionale të motit marrin sasi të mëdha të fuqisë kompjuterike.
Ato përfshijnë krijimin e vlerësimeve të qindra faktorëve duke përfshirë presionin e ajrit, temperaturën, shpejtësinë e erës dhe lagështinë në nivele të ndryshme të atmosferës anembanë globit.
Një mjet i ri i IA i quajtur GraphCast i krijuar nga Google DeepMind tejkalon modelin evropian të parashikimit të motit me rreze të mesme, një nga më të mirat në botë, në më shumë se 90% të këtyre faktorëve, sipas një punimi të rishikuar nga kolegët e publikuar nga DeepMind në revistën Science.
GraphCast prodhon parashikimet e tij në më pak se një minutë, duke përdorur një pjesë të fuqisë llogaritëse të metodave tradicionale të parashikimit, sepse merr një qasje shumë të ndryshme.