Të hënën në orën 12:00 ishte planifikuar mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ku pritej që i ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE Luigi Soreca të prezantonte Progres Raportin e BE për vitin 2023.
Duket se vendosmëria e deputetëve të opozitës për të mos lejuar funksionimin normal të Kuvendit deri në plotësimin e kushteve të tyre për respektimin e të drejtave kushtetuese, ka detyruar Kuvendin të njoftojë anëtarët për anulimin e mbledhjes.
Përmes një e-maili zyrtar anëtarët janë njoftuar se mbledhja e planifikuar anulohet. Këshilli Kombëtar i Integrimit bashkëdrejtohet nga deputetja demokrate Jorida Tabaku dhe deputeti socialist Toni Gogu, si dhe ka në përbërje kryetarët e grupeve parlamemtare, kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare.
Nuk dihet ende se kush e ka kërkuar anulimin e kësaj mbledhje, por ambasadori Soreca nuk do të ketë mundësi të raportojë në Kuvend mbi raportin për Shqipërinë, ku ndër të tjera evidentohej se Komisionet Hetimore janë një drejtë kushtetuese e opozitës dhe se përjashtimi i deputetëve të opozitës është një akt i paprecedent.