Lauren Weinstein

Elefanti ka një forcë të jashtëzakonshme. Ai mund të shkulë një pemë vetëm me këmbën e vet. Megjithatë ai do të mbetet në robëri, i mbajtur vetëm nga një litar i lehtë. Pavarësisht aftësisë së tij për t’u shkëputur kollaj, elefanti as që përpiqet.

Pse?

Fillon kur është i ri. Atë e lidhin fillimisht kur është i vogël dhe ende nuk është aq i fortë sa të këpusë litarin. Do të përpiqet në fillim, do të përpiqet sa më shumë që të mundet për t’u çliruar dhe do të përpiqet e do të përpiqet, por përfundimisht do të kuptojë se nuk mundet.

Papritur, atij i ngjitet diçka që është më i fortë se çdo litar, zinxhir apo gardh. Është besimi se nuk mund të çlirohet. Është ky besim që e frenon- pavarësisht aftësisë së tij.

Unë kam pasur të njëjtat besime – mund të keni edhe ju – besime që më penguan, besime që më shtynë të ndihesha e paplotësuar në punën time, të luftoja në marrëdhëniet e mia dhe të jetoja një jetë që ishte larg asaj që jetoj tani.

Vetëm kur u bëra e vetëdijshme për litarët e mi dhe u mora aktivisht me ta, u gjenda në një realitet tjetër.

SI I KËPUT LITARËT QË TË MBAJNË LIDHUR?

Mos besoni gjithçka që mendoni.

Kur isha gjashtë vjeçe, kisha një kujdestare të preferuar, Amber. Një mëngjes, nëna ime më tha se nuk mund ta mbanim kujdestaren, sepse ajo nuk kishte para për ta paguar.

Kështu që atë pasdite, fillova kompaninë time të parë. Mblodha gurë tek lagjja, i pikturova me kompletin tim të artit dhe shkova derë më derë, duke ua shitur fqinjëve. Atë natë, ishim Amber dhe unë së bashku në divan.

Kur isha e re, isha e guximshme, e hapur dhe e patrembur. Vishja atë që doja ose nuk doja të vishja, e udhëhequr nga zëri im që më thoshte se çfarë do të më bënte të lumtur.

Isha edhe e dashuruar. Ai quhej Fernando dhe ishte i mrekullueshëm. Si me çdo gjë tjetër, nuk kisha frikë ta përqafoja me të dy duart.

Teksa rritesha, kjo “foto” filloi të zbehej. Kurajo im u zëvendësua me ndrojtjen, prirja për udhëheqje ime me konformitetin, guximi im me frikën.

Unë mendoj se asnjë prej nesh nuk e lë fëmijërinë pa disa litarë, pavarësisht qëllimeve më të mira të prindërve tanë. Unë u rrita me një nënë që ishte e vendosur të më ofronte jetën perfekte. E mbushur me dashuri dhe qëllime të mira, ajo bëri gjithçka për mua për të më ndihmuar të jem perfekte.

Unë bëja një valixhe për të shkuar në një udhëtim me shkollën, ajo e shpaketonte dhe e ripaketonte në një mënyrë më të përsosur. Isha gati të merrja pjesë në një projekt artistik të shkollës dhe ajo shtonte në fund goditjet e saj të penelit për ta bërë më të mirë.

Më vonë ajo më tregoi kur zgjedhja ime e të dashurit apo e apartamentit nuk ishte mjaft e mirë. Edhe pse ajo donte vetëm atë që ishte më e mira për mua, unë vetë pushova së dituri se çfarë ishte më e mira për mua.

U krijua një litar pa ndjenja. Nuk duhet t’i besoja zërit tim dhe aftësive të mia dhe kisha frikë se mos nuk isha e përsosur.

Litarë të tjerë u ngjitën gjithashtu. Jam rritur në një familje të mbushur me të bërtitura, zëra të lartë dhe opinione të forta. Për të ruajtur qetësinë, mësova të hesht, të mos tund varkën, të bëhem e padukshme.

Në shkollë, arrita të besoja se është më e rëndësishme të përzihesh me të tjerët, sesa të spikatësh. Dhe dhimbja e një thyerjeje të hershme zemre më bëri të përmbahem në marrëdhëniet e mia në mënyrë që të mos lëndohem.

Nuk jam e mirë sa duhet. Mos fol. Mos u dallo. Ki frikë nga dështimi.

Këto ishin litarët e mi.

Kjo nuk është vetëm historia ime. Ashtu si elefanti, të gjithë ne besojmë në disa gjëra nga fëmijëria, që nuk ishin të vërteta – ose të paktën nuk janë më të vërteta. Por ne ende jetojmë me to, sikur të jenë të tilla.

Nëse jeni ndjerë ndonjëherë jo mjaftueshmërisht mirë, vetëm, të padëshiruar, të padashur, të padukshëm, të pafuqishëm, sikur nuk i përkisni mjedisit ku jeni – këto janë litarët tuaj.

Nëse keni ndjerë ndonjëherë se nuk mund t’i besoni vetes, t’u besoni të tjerëve, të flisni, të shfaqeni, të kërkoni ndihmë, t’i lejoni të tjerët të hyjnë në jetën tuaj, të pranoheni ashtu siç jeni – këto janë litarët tuaj.

Këto litarë na frenojnë.

E gjeta veten duke mos u përballur me mendimet e të tjerëve kur duhej të kisha besuar të miat, duke qëndruar e heshtur, kur të flisj,a do të më kishte sjellë dobi, dhe duke u përzier me të tjerë, kur do të isha më e lumtur nëse do të kisha guxim të spikatja e vetme.

Kjo më çoi në një sërë punësh që varionin nga të tolerueshme, deri në të mjerueshme. Në njërën prej tyre, shpresoja se do të sëmuresha që të mund të rrija në shtëpi. Më çoi në një sërë marrëdhëniesh në të cilat më mungonte besimi tek vetja, tek tjetri dhe tek marrëdhënia. Këto nuk funksionuan kurrë.

Besimet e mia ndikuan në mënyrën se si e perceptoja botën, gjë që ndryshoi mënyrën se si veproja, gjë që çoi në një profeci vetë-përmbushëse. Ndihesha e vogël dhe bota ime u bë më e vogël.

Ajo që ne besojmë ka efekte të fuqishme. Dekada kërkime të psikologjisë sociale e mbështesin këtë. Në një studim të kryer në Kolegjin Dartmouth, një plagë e shëmtuar u vendos përmes grimit, në fytyrat e pjesëmarrësve. Më pas ata u dërguan në një dhomë për një bisedë dhe atyre iu kërkua të raportonin se si njerëzit reagonin ndaj tyre, duke parë plagëm.

Por këtu ishte “hileja”. Pak para se të futeshin në dhomën e bisedës, eksperimentuesi u thoshte: “Prisni një minutë! Thjesht duam të prekim pak plagën.”

Në vend që thjesht ta preknin, ata e hiqnin plotësisht. Pra, pa e ditur, pjesëmarrësit hynë në biseda, duke u dukur krejtësisht normalë.

Pavarësisht kësaj, ata u kthyen dhe raportuan se sa të sikletshme ishin bisedat, se si njerëzit shmangnin shikimin e plagës së tyre, se kishin probleme me kontaktin me sy dhe ishin të tensionuar dhe jo rehat në bisedë.

Fakti që besonin se plaga e sajuar ishte ende aty, në fytyrën e tyre, i shtyu të shihnin gjëra që nuk ishin vërtet aty dhe të sajonin domethënie për sjellje të pafajshme.

Ajo që mund të kishte qenë një bisedë krejtësisht normale, u kthye në një bisedë të sikletshme. Besimet e tyre krijuan realitetin e tyre.

Studime të tjera tregojnë të njëjtin efekt. Po theksove identitetin aziatik të një gruaje aziatike përpara një testi matematike, ajo do të performojë më mirë. Po theksove identitetin e saj femëror, ajo do të performojë më keq.

Po drejtove një grup burrash të besojnë se një detyrë atletike është diagnostifikim i inteligjencës sportive, burrat e bardhë performojnë më mirë. Bëjini ata të besojnë se është një diagnostifikim i aftësisë natyrore atletike, meshkujt me ngjyrë dalin më mirë.

Jepini dikujt një pallto të bardhë dhe thojini se është pallto laboratori mjeku, ai do të bëjë më mirë në një detyrë që kërkon shumë fokus dhe vëmendje, sesa kur i thua se është pallto piktori.

Në të gjitha këto raste, të njëjtët njerëz, të njëjtat aftësi, të njëjtat detyra – besime të ndryshme. Dhe në secilin rast, ishte besimi i tyre që rriti ose uli performancën.

Mënyra se si e shihni veten dhe rrethanat tuaja do të ndikojë në atë që shihni, si veproni dhe çfarë ndodh si rezultat. Është pothuajse sikur besimet tona na vendosin një kaskë realiteti virtual, që na lejon të shohim gjëra që nuk janë në të vërtetë aty dhe na dërgon në një realitet të rremë.

Ne i kemi këto kaska edhe kur ato janë kilometra larg nga e vërteta. Më kujtohet që kam dëgjuar top-modelen Cameron Russell të rrëfente sesi modelet, pavarësisht se kanë flokët më të shndritshme dhe këmbët më të gjata, janë disa nga njerëzit më të pasigurta fizikisht në planet.

Kaskat tona na bëjnë të jetojmë në një realitet të rremë. Ato gjithashtu na bëjnë të përplasemi me njëri-tjetrin.

Një herë, isha lidhur me dikë për disa javë. Le ta quajmë Ben. Flisnim çdo ditë. Më pas ai shkoi në një udhëtim pune. Për katër ditë, heshtje. Nuk dëgjova asnjë fjalë.

Si do ta interpretonit këtë? Cili është mendimi i parë që ju vjen në kokë? Bindjet e mia më shtynë të pyesja veten se çfarë kisha bërë ose thënë për ta bërë këtë person dikur entuziast të ndryshonte mendim për mua.

Heshtjen e tij e ndava me miqtë. Njëra, e cila pranon se e ka të vështirë t’u besojë njerëzve, ishte e sigurt se ishte në këtë udhëtim me një grua tjetër.

Një tjetër, e cila pranon se ka frikë nga refuzimi, mendoi se ai ndoshta ishte i mërzitur sepse nuk e kisha ftuar të më shoqëronte në një dasmë.

Dhe një i tretë, i cili ka probleme me përkushtimin, mendoi se ndoshta mendonte se po lëviznim shumë shpejt dhe po i linim pak hapësirë njëri-tjetrit.

Secili person pa të njëjtën situatë përmes lenteve të veta. Kush kishte të drejtë? Si duhet të përgjigjem?

Secili prej këtyre supozimeve çon në një përgjigje të ndryshme. Duke lëvizur shumë shpejt? – Duhet të tërhiqem. Por nëse ai ndihet i refuzuar, kjo thjesht do ta lëndonte më shumë.

Ndihet i refuzuar? – Duhet t’i bëj një telefonatë dhe ta ftoj në dasmë. Por nëse ai mendon se ne po ecim shumë shpejt, kjo thjesht do ta largojë më shumë. Isha shumë e hutuar.

Ndërsa po bëja ping-pong me “kaskën” time, ndërsa huazoja disa nga kaskat e miqve të mi, kjo marrëdhënie vdiq në një vdekje të ngadaltë.

A jeni gati për atë që po ndodhte në “kaskën” e Benit? Ai ishte lënduar thellë nga një marrëdhënie e kaluar, kishte frikë se mos lëndohej përsëri dhe u tërhoq kur pasiguritë e tij u shumëfishuan. Nuk ishte asnjë nga gjërat që dikush kishte hamendësuar.

Ndonjëherë “kaskat” tona na pengojnë marrëdhëniet. M’u desh shumë kohë për ta mësuar këtë. Ashtu si besimet tona mund të na pengojnë, ato gjithashtu mund të na shtyjnë përpara.

Le të kthehemi te studimi i plagës për një moment. Imagjinoni të kundërtën. Imagjinoni sikur studiuesit të vendosnin diçka në fytyrat e pjesëmarrësve që i bënte ata të besonin se duken bukur dhe më pas e heqin atë përpara se të shkojnë në mjedisin social. Tani, çfarë mendoni se besojnë ata për reagimet e të tjerëve?

Sa ndryshe mendoni se do silleshin? Çfarë ndryshimi ka nëse besoni se jeni i shëmtuar apo i bukur, i mirë në matematikë apo i tmerrshëm në të, i mirë në sport apo jo? Duket, një gjë e madhe.

Më në fund e nxorra këtë mësim. “Kaskat” e mia më çuan në fakultetin juridike. Aty u përforcuan besimet e mia prej kohësh të rreme: syno përsosmërinë, ndiq turmën, ki frikë nga dështimi. Kjo ishte një rrugë e njohur.

Pastaj një ditë, pa menduar shumë për këtë, u regjistrova në një klasë jashtë fakultetit juridik, të quajtur Design Thinking Boot Camp, një klasë që premtonte të nxirrte potencialin tim krijues.

Më duhej të projektoja produkte dhe krijoja përvoja inovative, ose më saktë, të tërhiqja pothuajse çdo litar që më mbante lidhur. Më duhej t’i besoja zërit tim, sepse kur bëhet fjalë për inovacionin, definitivisht nuk ka njeri të cilit t’i kërkosh përgjigje.

Më duhej të shfaqesha vetë, sepse inovacioni nuk vjen duke luajtur në terren të sigurt. Dhe ndoshta më e rëndësishmja, duhej të isha e gatshme të dështoja, të isha e gatshme të mos isha e përsosur. Modelet më të mira erdhën vetëm pas shumë përpjekjeve të dështuara.

Nëse doja ta bëja siç duhet, fillimisht duhej të isha e gatshme ta bëja gabim.

Kam luftuar në këtë klasë, sepse të gjitha gjërat që do të më ndihmonin të kisha sukses ishin të njëjtat gjëra që, prej kaq shumë vitesh, besoja se nuk duhej t’i bëja.

Më në fund iu dorëzova qasjes së tyre të çmendur dhe ndodhi gjëja më e mahnitshme. Isha e lirë të shkoja, të luaja, të provoja gjëra, të eksperimentoja – të jetoja siç kisha bërë përpara litarëve.

Ndihesha e lirë në një mënyrë që nuk e kisha ndjerë që kur isha gjashtë vjeç dhe arrita gjëra që nuk do t’i kisha imagjinuar kurrë. Isha e habitur, krenare, e çliruar – dhe e hutuar.

Pyesja veten nëse besimet që më penguan në këtë klasë ishin të njëjtat që më pengonin në pjesë të tjera të jetës sime.

Fara ishte mbjellë. Ndoshta nuk duhet të besoj gjithçka që mendoj. Duhet fikur “kaska” që krijon realitetin e rremë. Për ta hequr, thjesht duhej të kuptoja se e kisha në kokë. Litarët duheshin këputur. Besimet e reja çojnë në veprime të reja.

Në lëvizjen time të parë të guximshme që kur isha gjashtë vjeç, refuzova ofertën për të punuar në një studio ligjore dhe e vendosa veten në një realitet tjetër. Kam eksperimentuar me punë të ndryshme dhe kam marrë përsipër projekte të ndryshme anësore, duke u thënë po, atyre që më parë do t’u kisha thënë jo për shkak të mungesës së përvojës.

Kisha ende frikë nga dështimi dhe kthesat e gabuara, dhe ndonjëherë e bëja. Thjesht nuk e lejoj më që kjo të më ndalojë.

Pastaj një ditë, mora një pozicion 10-javor me kohë të pjesshme, duke stërvitur folësit. U dashurova me këtë punë. Po flasim për dashuri të nivelit Fernando. Duke mos pasur më frikë të kapja gjërat me të dyja duart, vazhdova dhe hapa kompaninë time, duke ndihmuar udhëheqësit të bëhen folës më të fuqishëm dhe të mësojnë një klasë komunikimi në Stanford.

Veçanërisht domethënëse për mua është se tani mund t’u jap të tjerëve atë që kisha humbur për kaq shumë kohë – një zë më të fuqishëm. Kam thyer edhe litarë të tjerë.

Kur isha e vetëdijshme dhe e turpshme, kurrë nuk mund ta imagjinoja t’jua zbuloja pasiguritë e mia në një skenë të TED Talks. Kjo do të dukej më shumë si një ëndërr e keqe. Megjithatë, ja ku jam.

Ky proces nuk ndodhi brenda natës. Çdo mendim i ri, çdo veprim i ri u ndërtua mbi atë para tij derisa e gjeta veten në një realitet të ri. Unë kam ende litarë që po punoj për t’i këputur. Objektivi im është më i afërt me kalimin e kohës.

Për të arritur atje, i kujtoj vetes sfidën e “marshmallow”. Skuadrave prej katër vetash u jepen 20 shkopinj spageti, një varg me fije, një rrotull me ngjitës dhe një marshmallow (tip ëmbëlsire e bërë me sheqer, ujë dhe xhelatinë).

Ekipi fitues është ai që mund të ndërtojë kullën më të lartë që mundet në 18 minuta. Marshmallow duhet të jetë sipër. Kjo sfidë u është dhënë në të gjithë botën studentëve të shkollave të biznesit, avokatëve, CEO-ve, CTO-ve, inxhinierëve.

Cilët mendoni se janë ndër ata që dalin më mirë? Të sapodalët nga kopshti.

Ja pse. Grupet e tjera do të marrin atë që ata mendojnë se dinë, atë që ata mendojnë se është përgjigja e vetme e duhur dhe do të përfundojnë duke e ekzekutuar në drejtimin e gabuar.

Në të kundërt, fëmijët e kopshtit janë të hapur ndaj mundësive të shumta. Ata testojnë opsione të ndryshme, mbledhin informacione duke eksperimentuar derisa gjejnë rrugën më të mirë përpara. Ata argëtohen.

Ajo që na bën kaq të mahnitshëm si fëmijë është se jetojmë në një botë para vendosjes së litarëve. Në një botë përpara “çfarë dihet”, ku kemi “çfarë mundet”. Në një botë përpara “nuk mundem”, ku ekziston “si mundem?”

Në një botë përpara “rrëzohu dhe mos u ngri më”, ku biem dhe ngrihemi menjëherë. Në një botë në të cilën asgjë nuk na pengon nga kapaciteti ynë i plotë.

Çfarë ishte klasa e dizajnit për mua, shpresoj që ky fjalim të jetë për ju – mbjellja e një fare që ju bën të vini në dyshim atë që keni pranuar më parë si të vërtetë, që ju bën më të vetëdijshëm për litarët tuaj, që ju ndihmon të shihni se ato ishin gjithmonë në kokën tuaj. Këputini.

Pavarësisht se kush jeni apo ku jeni, në këtë moment, ekziston jeta që mund të jetoni nëse këpusni litarët. Ju arrini atje mendim pas mendimi, veprim pas veprimi, derisa një ditë, e gjeni veten në një realitet të ri.

Faleminderit. / Prezantim i mbajtur në TED Talks – Në shqip nga bota.al