Dy punonjës së Policisë në Vlorë janë pezulluar nga detyra si dhe u është ndaluar dalja jashtë shtetit, pasi dyshohet se kanë shëprdoruar detyrën në rastin e drogimit dhe përdhunimit të vajzës 26-vjeçare nga tre të rinj.

Lajmin e bën me dije ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili thotë se “vonesa në kryerjen e veprimeve të plota hetimore që në momentin e parë është e pafalshme dhe më rëndë akoma bashkëpunim me dhunuesit”.

Deklarata e plotë e Ballës:

Rasti i dhunës seksuale dhe i nxitjes së përdorimit të lëndëve narkotike ndaj një vajze në Vlorë ishte një ngjarje e rëndë, për të cilën drejtësia duhet të bëjë detyrën në nivelin e pritshmërive të mbarë opinionit publik. Siç jam angazhuar prej momentit të parë pasi u njoftova për këtë ngjarje, kam kërkuar verifikimin e veprimeve të Policisë së Vlorës për këtë ngjarje tronditëse.

Për këtë qëllim Agjensia e Mbikqyrjes Policore dhe Prokuroria e Jursdiksionit të Përgjithshëm Vlorë kanë hetuar veprimet e policisë së shtetit në këtë rast, duke çuar në vendimin e sotëm të Gjykatës Vlorë për pezullim nga detyra dhe ndalim dalje jashtë vendit të dy punonjësve të Drejtorisë së Policisë.

Vonesa në kryerjen e veprimeve të plota hetimore që në momentin e parë është e pafalshme dhe më rëndë akoma bashkëpunim me dhunuesit. Prandaj e kam thënë dhe ta them çdo ditë se rritja e performancës së Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e policisë së shtetit elementët e dëmshëm të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të shumicës së Policisë së Shtetir që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi.